SYRI TV/ Tirana në krizë për ujë të pijshëm, qytetarët: Po e blejmë, jemi mashtruar nga kryeministri

Tirana është përfshirë nga një krizë e thellë e mungesës së ujit të pijshëm. Çdo ditë, banorë nga zona të ndryshme të kryeqytetit denoncojnë mungesën e ujit të pijshëm, ndërsa UKT duket e pafuqishme për të plotësuar nevojat më minimale. Me mungesën e ujit po përballen edhe qindra familje në zonën e Mine Pezës, me banorët që shprehen se po e blejnë atë, por diçka e tillë është e papërballueshme për xhepat e tyre.

Syri TV

Tirana vijon të përballet me mungesën e theksuar të ujit të pijshëm.

Situata çdo ditë ka ardhur duke u përkeqësuar, teksa ankesat dhe denoncimet e banorëve të kryeqytetit kanë qenë të shumta. Në temperatura ekstreme dhe nevojën për të mbajtur higjenën, qytetarët detyrohen të blejnë ujin në dyqanet e lagjeve. Edhe në zonën e Mine Pezës ka mungesë të ujit të pijshëm, ashtu si edhe në shumë zona të tjera të kryeqytetit.

Institucioni i UKT duket tërësisht i pafuqishëm për të plotësuar nevojat më minimale. Si shkak për mungesën e ujit cilësohen defektet teknike, por situata është e pazgjidhur prej vitesh.

Pavarësisht pretendimeve të vazhdueshme të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë për shkakun e mungesës së ujit, arsyeja kryesore e mosfurnizimit të qytetarëve të Tiranës është mungesa infrastrukturës dhe mos marrja e masave të duhura për përballimin e situatës dhe nevojave të qytetarëve.