Komunitetet fetare kërkojnë saktësim të përkufizimeve në projektligjin për barazinë gjinore: Familja tradicionale duhet të respektohet!

Pesë komunitetet fetare kryesore në Shqipëri, të bashkuara në Këshillin Ndërfetar, kanë shprehur shqetësime të qarta lidhur me projektligjin “Për barazinë gjinore”. Në një mbledhje të posaçme të Bordit të Presidencës gjatë ditës së sotme, përfaqësuesit fetarë ngritën problematika lidhur me disa përkufizime dhe terma si “identitet gjinor” dhe “shprehje gjinore”, të cilët, sipas tyre, bien në kundërshtim me parimet teologjike dhe traditën familjare shqiptare.

Komunitetet theksojnë rëndësinë e ruajtjes së konceptit të familjes tradicionale të bazuar mbi dy gjinitë biologjike  burrë dhe grua dhe kërkojnë sqarime ligjore për të shmangur paqartësi apo keqinterpretime në të ardhmen, duke riafirmuar angazhimin e tyre për dialog dhe bashkëpunim institucional.

Reagimi i plotë: 

Komunitetet fetare në Shqipëri vlerësojnë rëndësinë e barazisë në përfshirjen sociale dhe në mosdiskriminim, sepse kjo pasqyron barazinë e dinjitetit, që të gjithë njerëzit kanë përpara Zotit.
Nisur nga këto parime dhe bazuar në të drejtat e tij statutore, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, i përbërë nga pesë komunitetet fetare (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë), pasi u njoh me projektligjin “Për barazinë gjinore”, mblodhi sot më 23 shtator 2025 Bordin e Presidencës, së bashku me një grup pune të miratuar nga pesë komunitetet fetare, të përbërë nga specialistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme.
Krerët dhe drejtuesit e të gjitha komuniteteve fetare shprehën shqetësimin e tyre për disa nene dhe përkufizime të projektligjit, të cilat bien në kundërshtim me parimet teologjike dhe traditën e familjes shqiptare. Në veçanti, përkufizimi i termit “gjini”, si koncept gjithëpërfshirës, përdorimi i nocioneve, “identitet gjinor”, “shprehje gjinore”, si dhe të gjitha neneve të tjera të lidhura me to, krijojnë paqartësi ligjore dhe hapësira për keqinterpretim.
Ne, si komunitete fetare, theksojmë rëndësinë e familjes tradicionale të bazuar mbi dy gjinitë biologjike: burrë dhe grua. Për këtë arsye, kërkojmë saktësimin e përkufizimit të termit “Gjini” në projektligj, duke e lidhur qartë me gjininë e përcaktuar në lindje – burrë, grua, vajzë, djalë – në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit.
Komunitetet fetare kanë mbështetur gjithmonë përpjekjet e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Evropian. Njohja tradicionale e dy gjinive nuk përbën pengesë për këtë proces – fakt që reflektohet edhe në praktikat e shumicës së shteteve anëtare të BE-së, të cilat vazhdojnë të përdorin një përkufizim binar burrë–grua.
Me dëshirën që këto shqetësime të merren në konsideratë nga institucionet përgjegjëse, riafirmojmë angazhimin tonë për dialog dhe bashkëpunim në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë dhe të sigurt për brezat e rinj, duke u mbështetur në besimin te Zoti dhe respektin për ligjin.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj!
Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë
Haxhi Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë
Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Imzot Gjergj Meta, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë
Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Kryegjyshatës Bektashiane
Pastor Ergest Biti, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë