Ky qytet fut terapinë pyjore në sistemin e tij arsimor
Qyteti Naklo në Slloveni ka nisur një iniciativë të re për të integruar terapinë pyjore në sistemin arsimor. Ky program, i udhëhequr nga Qendra Bioteknike Naklo, përfshin shëtitje të gjata në natyrë dhe punëtori të dedikuara për studentët dhe stafin, me qëllim uljen e stresit, rritjen e imunitetit dhe përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme.
Sipas Mojca Logar, udhëheqëse e projektit dhe një nga udhëzueset e para të çertifikuara të terapisë pyjore në Slloveni, gjatë shëtitjeve dy deri tre-orëshe pjesëmarrësit angazhojnë të pesë shqisat përmes ushtrimeve të frymëmarrjes dhe vetëdijes, duke synuar arritjen e një gjendjeje relaksimi dhe përfitime të drejtpërdrejta nga natyra.
Studime ndërkombëtare nga Japonia dhe Koreja e Jugut sugjerojnë se kjo praktikë mund të ulë ankthin, të përmirësojë kujtesën dhe përqendrimin, të favorizojë gjumin dhe të zvogëlojë inflamacionin përmes komponimeve natyrore antimikrobike të pemëve, të njohura si fitoncide.
Edhe pse efektet shëndetësore janë të konfirmuara shkencërisht, ende nuk është vendosur se kur terapia pyjore do të bëhet pjesë e sistemit zyrtar të kujdesit shëndetësor në Slloveni. Logar e sheh këtë praktikë si një trend global dhe një zgjidhje të thjeshtë për balancën e trupit, mendjes dhe shpirtit në jetën moderne.