Këshilli Bashkiak i Tiranës i çon Ramës propozimin që kërkoi, shkarkimin e Erion Veliajt

Në një mbledhje të jashtëzakonshme të zhvilluar sot, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka votuar për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryetarit të bashkisë. 

Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe vjen pas kërkesës së Ramës ku ky i fundit urdhëroi që Këshilli ti sillte propozimin për ta shkarkuar.

Shkarkimi Veliajt u bë me 50 vota pro, ku 5 anëtarë nuk morën pjesë në votim.

Këshilltarët e opozitës, në fjalët e tyre, e cilësuan vendimin si të vonuar dhe të paplotë, ndërsa akuzuan mazhorancën socialiste se për vite me radhë ka miratuar aferat dhe abuzimet e Veliajt.

Alimehmeti tha se opozita e kishte kërkuar prej kohësh shkarkimin e kryebashkiakut, por theksoi se përgjegjësia është edhe e këshilltarëve socialistë:

“Veliaj është një kapitull i mbyllur, por ju jeni kapitulli i hapur. Ju ia miratuat vjedhjet, inceneratorin, buxhetet dhe sot mbani po aq përgjegjësi.”

Teliti e quajti ditën e sotme “historike për Tiranën”, por nënvizoi se vendimi duhej të pasqyronte shkeljet e shumta të Veliajt:

“Ky nuk është thjesht një kryebashkiak që mungoi 90 ditë, por një drejtues që ka kthyer Tiranën në lavatriçe pastrimi parash me kulla, tendera pa garë dhe inceneratorë që nuk ekzistojnë.”

Zhulali ironizoi se mbledhja po dukej si “ceremoni funebre” dhe tha se Veliaj po merr shijen e gjellës që ka gatuar vetë:

“Ky vendim është i vonuar dhe i paplotë. Ai duhej të shkarkohej që në vitin 2023, për shkelje të rënda me inceneratorin dhe abuzimet me qytetarët e Tiranës.”

Pano, nga ana e tij, e lidhi shkarkimin edhe me mungesën e fjalës së lirë në Tiranë:

“PD lufton për fjalën e lirë, pikërisht të atij që na e censuroi atë. Tirana nuk ka vuajtur vetëm 7 muajt e fundit, por prej 12 vitesh, me familje të dëbuara dhe të dhunuara.”

Vendimi për shkarkimin e Erion Veliajt u shoqërua me debate mes këshilltarëve të opozitës dhe mazhorancës, duke shënuar një moment të rëndësishëm politik për çlirimin e kryeqytetit.