'Veliaj e ka kthyer Tiranën në lavatriçe pastrimi parash'/ Teliti: Projektvendimi të pasurohet me milionat e eurove të inceneratorit inekzistent

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, në mbledhjen e jashtëzakonshme për shkarkimin e Erion Veliajt, akuzoi kryebashkiakun Erion Veliaj dhe mazhorancën socialiste për braktisjen e kryeqytetit dhe mbrojtjen e një kryebashkiaku të korruptuar.

“Prej 7 muajsh i keni munguar lartësisë së detyrës dhe kjo i ka kushtuar Tiranës shumë, madje shumë shtrenjtë”, u shpreh Teliti, duke theksuar se vetëm presioni i opozitës e detyroi mazhorancën që sot të votojë për shkarkimin e Veliajt.

Teliti akuzoi se Erion Veliaj nuk duhet të shkarkohej vetëm për mungesën e tij 90-ditore, por mbi të gjitha për krimet ekonomike, financiare dhe faktin se e ka kthyer Tiranën në një “lavatriçe të madhe pastrimi” ku miliarda euro pastrohen në sektorin e ndërtimit dhe në aferat e inceneratorëve.

“Ky projektvendim nuk është i plotë, sepse nuk pasqyron arsyet e vërteta pse duhet të largohet Veliaj: braktisjen e qytetit, pastrimin e parave dhe zhdukjen e qindra milionave euro me skema kriminale. Edi Rama dhe Veliaj e kanë shndërruar Tiranën në një kryeqendër korrupsioni dhe mashtrimi”, theksoi Teliti.

Sipas tij, Veliaj nuk pati kurrë kurajë të përballej me qytetarët dhe opozitën, ndërsa Rama e mbron me çdo kusht për shkak të interesave të përbashkëta.

Teliti:

Ndonëse do donit ta trajtonit si ditë normale, kjo vetëm ditë normale nuk është, është ditë e veçantë për Tiranën, pasi siç jeni shprehur dhe vetë në kërkesën tuaj njëanëshe, ndonëse përkon me kërkesat e opozitës, tashmë ju po ngriheni në lartësinë e detyrës.
Keni 7 muaj që i keni munguar kësaj lartësie, dhe kjo i ka kushtuar Tiranës, i ka kushtuar shumë madje.
Sa i përket aktit të sotshëm, ky është një akt historik, po en do t’jemi që ne sot i bashkuam votat tona, jo ne me ju por ju me ne, pasi ne kemi 4 muaj që ju kërkojmë që kjo ditë të ndodhë por ju përsëri nuk i ngritët, por më mirë vonë se kurrë, faleminderit të paktën që s’po e lironi Tiranën.

Do të doja që ky këshill të ngrihej në lartësinë e duhur, ky këshill ta pasuronte vendimin me shkeljet në planin urbanistik që është kthtyer në letër bakalli, me abuzimin financiar, me 1.1 milionë eurot e inceneratorit të Tiranës që nuk e ekziston, me shkeljet në rrjetin e Ujësjellësit, me rritjen e çmimit të ujit, me rritjen e taksave, me shkeljet dhe mungesën e transparencës, me tenderat pa garë, me shkeljet me parqet tona, kafshohen parqet dhe trotuarët për të ndërtuar kulla.

Do të doja ta pasqyroja këtë projektvendim, me arsye të reale pse duhet shkarkuar Erion Veliaj, jo me mungesën 3 mujore por me arsyet reale.

Do doja ta pasqyroja projektvendimin tuaj të njëanshëm me të gjitha shkeljet që janë bërë për sa i përket ambientit në Tiranë ku ju, prindërit tanë edhe fëmijët tanë thithin ajër 18 herë më të ndotur sesa normat e lejuara të OBSH.

Erion Veliaj nuk duhet shkarkuar vetëm se mungoi 90 ditë, por duhet shkarkuar patjetër se mungoi 90 ditë por mbi të gjitha mbi krimet ekonomiko-financiare dhe braktisjen që i ka bërë Tiranës dhe mbi faktin që e ka kthyer Tiranën në një lavatrice të madhe pastrimi ku miliarda euro pastrohen në sektorin e ndërtimit dhe që zhduken para me 5D dhe me inceneratorë që nuk ekzistojnë, ndaj ky projektvendim nuk është i plotë.

Do të doja shumë që i pandehuri Erion Veliaj, qytetari Erion Veliaj, të ishte këtu sot, ndonëse nuk ka patur kurrë kurajë të qëndronte para nesh dhe të përballej me ne.