'Veliaj po merr shijen e gjellës që ka gatuar vetë'/ Zhulali: Ka të fala nga familjet e 5 Majit që i tërhoqi zvarrë, e nga Ardit Gjoklaj

Mbledhja e Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Erion Veliajt po shoqërohet me debate të forta. Anëtarja e Këshillit, Ilda Zhulali, deklaroi se është e kënaqur që kryebashkiaku po merr “shijen e gjellës që ka gatuar vetë”, duke iu referuar procesit të shkarkimit.

Sipas saj, vendimi është i vonuar dhe i paplotë, pasi Veliaj duhej të ishte larguar nga detyra prej kohësh, për shkak të aferave të shumta që lidhen me mandatin e tij.

“Erion Veliaj është gjallë. Nuk ndodhet sot në sallë se nuk e lejuat. Ai duhet të ishte këtu sikurse ia lejon ligji. Jam e kënaqur që mori shijen e gjellës që ka gatuar vetë, që sot në Këshillin Bashkiak do të shkarkohet dhe nëse na ndjek nga qelia, e përshëndesim. Vendimi që keni sjellë sot është i vonuar dhe i paplotë”, tha Zhulali.

Ajo akuzoi Veliajn për aferën e inceneratorit të Tiranës, që sipas saj “është një vepër që nuk ekziston”, si edhe për dosjen e zezë “5D”, një “formulë mashtrimi” të ndërtuar nga ai dhe drejtorët e tij.

Zhulali ironizoi edhe mbi situatën e mbetjeve në Sharrë, duke thënë se duhej vendim gjykate për ta parë malin e mbeturinave, ashtu siç duhej vendim gjykate për aferën 5D.

Në fund, ajo dërgoi një mesazh kryebashkiakut:
“I bëj të fala Veliajt nga familjet e 5 Majit, nga Ardit Gjoklaj, të bëjnë të fala se do të shkarkohesh me ceremoni.”

Fjala e Zhulalit: 

'Zonja Kryetare, Erion Veliaj është gjallë, se duket sikur po e bëni si një ceremoni funebre.

Në fakt ai duhet të ishte këtu, sikurse ia lejon ligji, por duke qenë se ju ia mohuat, unë jam e kënaqur që sot ai mori shijen e gjellës që ka gatuar vetë për gjithë këto vite.
Dhe këtë gjellë që sot ia gatuat ju të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak të Partisë Socialiste, le ta provojë zoti Veliaj nga qelia ku është, dhe nëse na ndjek, e përshëndesim.

Vendimi që ju keni sjellë sot është një vendim i vonuar dhe gjithashtu i paplotë. Erion Veliaj duhej të ishte shkarkuar nga kjo detyrë që në vitin 2023 ku edhe padrejtësisht mori detyrën në fakt.

Është i paplotë sepse Erion Veliaj duhej shkarkuar për shkelje të rënda të ligjit, së pari dhe mbi të gjitha.

Duke shkelur ligjin për inceneratorin, një vepër që nuk u ndërtua kurrë, dhe që duhej t’i ishte dorëzuar qytetit të Tiranës 3 vite më parë, për të cilin ne kemi paguar qindra milionë euro dhe do vazhdojmë të paguajmë edhe qindra milionë të tjera.

Unë i bëj shumë të fala Erion Veliajt nga familjet e 5 Majit që hoqi zvarrë, burra, gra e fëmijë. Ke shumë të fala, Erion, ata janë shumë të lumtur që ti sot do të shkarkohesh me ceremoni.

I bëj tërë të falat Erion Veliajt nga banorët e Astirit, që u bëri të njëjtën gjë. I bëj të fala nga Ardit Gjoklaj, i bëj të fala nga të gjitha bizneset e Tiranës të cilët i zhvasin njëri pas tjetrit të gjithë drejtorët e Bashkisë Tiranë, të emëruar nga Erion Veliaj dhe ata që vijnë pas tij.'