'Shpërdorim detyre', Muçollari: Rama urdhëron, Këshilli Bashkiak zbaton, Veliaj duhet shkarkuar me ligj, jo me porosi politike!
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka reaguar ashpër në lidhje me mënyrën sesi është menaxhuar vakanca në Bashkinë e Tiranës pas arrestimit të Erion Veliajt nga SPAK.I ftuar në studion e edicionit të orës 15:00 në SYRI TV, Muçollari denoncon atë që e quan një model të kapjes totale të pushtetit vendor nga korrupsioni dhe klientelizmi, jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha bashkitë e vendit.
Ai thekson se vonesa e qëllimshme në shkarkimin e Veliajt dhe mungesa e reagimit institucional nga Këshilli Bashkiak është dëshmi e shkeljes flagrante të ligjit dhe e kapjes politike të institucioneve nga Edi Rama.
Në deklaratën e tij, Muçollari ngre akuza serioze për shpërdorim detyre nga ana e Këshillit Bashkiak, te cilët prej kohësh kanë shkelur ligjin për shkakrkimin nga detyra të Veliajt e sot me urdhër të Edi Ramës po marrin një vendim, ndërsa thekson se Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet në të drejtën e saj legjitime për të kërkuar shkarkimin e kryebashkiakut të pezulluar.
Pjesë nga deklarata:
Nuk është vetëm çështje e Erion Veliajt. Është një model i aplikuar në të gjitha bashkitë dhe në të gjitha nivelet e qeverisjes një nivel i pastër korrupsioni, për të përdorur asetet dhe financat publike për interesa personale dhe për të pasuruar njerëz pranë pushtetit. Siç janë vërtetuar tashmë rastet, si rasti i “5D”, që u përdorën për të manipuluar pushtetin zgjedhor.
Përdorimi i këtyre parave dhe nivelet e larta të korrupsionit bënë që edhe Partia Demokratike, duke protestuar në mënyrë të vazhdueshme, të njihet me këto nivele korrupsioni jo vetëm për shkak të modeleve të padëgjuara më parë, por edhe përmasave të tyre. Siç është rasti i inceneratorëve, që tashmë është i vërtetuar dhe pothuajse i pranuar. Bëhet fjalë për miliona euro.
Pas arrestimit të Veliajt nga SPAK, opozita pas një vakance tre mujore në krye të Bashkisë kërkoi që Këshilli Bashkiak të kryente detyrën e tij dhe t’i kërkonte Këshillit të Ministrave shkarkimin e kryebashkiakut.
Kjo nuk u mor parasysh. Sepse, për hir të së vërtetës, jemi në kushtet e shpërdorimit të detyrës, pasi Këshilli Bashkiak e kontrollon në një farë mënyre kryetarin dhe ai duhet të japë llogari. Në momentin që ai mungon dhe është një i punësuar i administratës ashtu siç parashikon ligji, duhet të shkarkohet. Prandaj, Këshilli Bashkiak ka shpërdoruar detyrën, pasi tre muaj kaluan dhe ata nuk bënë kërkesë për shkarkimin e Veliajt.
Sot nuk jemi në kushtet e një shteti ligjor. Jemi në kushtet ku një njeri i vetëm vendos Rama vendos nëse ai do të shkarkohet apo jo, nëse do të bëhen zgjedhje apo jo. Kjo do të thotë se shteti ligjor, funksionimi i institucioneve dhe zbatimi i ligjit nuk funksionojnë.
Rama ka vendosur për llogari të tyre, ka vendosur ta shkarkojë (Veliajn) dhe të urdhërojë Këshillin Bashkiak të urdhërojë secilin nga ata që nuk zbatuan ligjin, por që kanë vendosur të zbatojnë një urdhër të zotit Rama.
Patjetër që Partia Demokratike është në legjitimitetin dhe të drejtën e saj, me kërkesat që ka bërë. Dhe sot, këshilltarët e PS do t’i bashkohen vendimit që Partia Demokratike ka marrë prej kohësh: kërkesës për shkarkimin e Erion Veliajt.
Por është edhe e drejta e kryetarit të Bashkisë për të folur para Këshillit Bashkiak, si një e drejtë për të mos i mohuar fjalën e lirë. Edhe pse, çfarëdo që ai të thotë, nuk do të ketë më asnjë ndikim.