SYRI TV/ Dëshmia e John Stewart Duncan vazhdon në Hagë, ironia e Duncan: Në zonë lufte, jo në hotel me 5 yje

SYRI TV

Në Hagë ka vazhduar dëshmia e John Stewart Duncan, ish-këshilltar i Wesley Clark, i cili foli për rolin e komandantëve të UÇK-së në negociatat e qershorit 1999, duke e përshkruar Kadri Veselin si figurë me funksion të lartë dhe duke kërkuar sqarime private kur u ballafaqua me emrin e Xhavit Halitit. Seanca u shoqërua edhe me një moment ironik, kur ndaj pyetjes për veshjet e njëjta të ushtarëve, Duncan u përgjigj: Jemi në zonë lufte, jo në hotel me pesë yje.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka vazhduar këtë të martë n diten e dytë dëshmia e John Stewart Duncan, ish-këshilltar politik i gjeneralit amerikan Wesley Clark, në procesin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Pyetjet e Prokurorisë u përqendruan tek roli i komandantëve të zonave gjatë negociatave të 17 qershorit 1999 për marrëveshjen e demilitarizimit të UÇK-së.

Duncan pranoi se pas më shumë se dy dekadash nuk arrin t’i kujtojë me saktësi emrat e personave të pranishëm. Në një prej pamjeve, ai e përshkroi Kadri Veselin, si person me funksion të lartë.

“Me sa më kujtohet mua, është një person me funksion të lartë dhe në funksionin policor dhe të zbulimit”

Në një moment, kur u ballafaqua me një fotografi ku shfaqej Xhavit Haliti, Duncan tha se nuk ishte i njëjti person që i ishte prezantuar me këtë emër në Tiranë, dhe kërkoi që seanca të kalonte në private për sqarime shtesë, kërkesë që u pranua nga trupi gjykues.

prokurori e pyeti për rrobat e ushtarëve të UÇK-së, të cilët në tre ditë radhazi shiheshin me të njëjtën veshje. Pyetja, që u konsiderua qesharake nga diplomatë të pranishëm, u shoqërua me një përgjigje të prerë të Duncan.

“Jemi në zonë lufte, jo në hotel me pesë yje. Ishte normale që ushtarët të mbanin rrobat më shumë se një ditë. Nuk shoh asnjë problem këtu.”