Blerja e pronave në Shqipëri, e papërballueshme për qytetarët/ 'Luks' për të huajt - E konfirmon Rama: Çmimet do të rriten 2-fish!
Tanimë të blesh një pronë në Shqipëri, duhet të mendohesh dy herë, pasi çmimet pritet të pësojnë një rritje relativisht të lartë.
E kemi parë prej vitesh që industria e ndërtimit në Shqipëri ka ‘lulëzuar’ furishëm, me çmime apartamentesh të papërballueshme për qytetarët e saj, kjo falë parave të drogës, një shqetësim i ngritur edhe nga ekspertë të fushës dhe opozita.
Por tashmë vendimi i fundit i kreut të qeverisë Rama, i cili teksa ndodhej në Vjenë të Austrisë e konfirmon rritjen e pronave në Shqipëri me dyfishin e çmimit aktual, duke u bërë thirrje investitorëve të huaj që të blejnë prona në Shqipëri.
Një thirrje e kryeministrit Rama, tregon qasjen e këtij të fundit për shtetasit e tij, të cilët nuk do të mund ta përballojnë më tregun e pronave të paluajtshme.
Në konferencën “Shqipëria, Horizonti i Ri” që u mbajt në Vjenë, Rama e argumentoi ftesën për investitorët e huaj për të blerë toka dhe apartamente në Shqipëri, me faktin se çmimet do të vijojnë të rriten akoma dhe më shumë, sidomos pas anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.
“Edhe sepse sektori i pronave në Shqipëri po ecën vërtetë përpara dhe ka hapësirë për të blerë prona me një çmim të përballueshëm ende. Ajo që do t’u thosha të gjithëve që kanë shumë para, t’i shpenzoni duke blerë prona, apartamente në Shqipëri, do të jetë investim shumë i mirë në Shqipëri. Sepse çmimet do rriten akoma më shumë edhe kur të bëhemi shtet anëtar i BE. Çmimet rriten pothuajse dyfish. Blini një apartament në Tiranë, prisni pak vite, dhe e shisni me çmim dyfish. Ejani në Shqipëri dhe blini prona”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.