Blushi: Bashkë me Veliajn duhet të shkarkohen dhe këshilltarët bashkiakë socialistë
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi thotë se Erion Veliaj është një kufomë politike dhe se bashkë me të duhet të shkarkohen edhe këshilltarët bashkiakë socialistë të cilët në çdo paligjshmëri kanë qenë në krah të tij.
Nga studio e “MCN Live” ai deklaroi se debati juridik mes Erion Veliajt dhe Edi Ramës në distancë, është si të flasësh për moral në një shtëpi publike.
Sa i takon zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, ai u shpreh se opozita në çdo rast do të marrë pjesë në zgjedhje, qofshin këto të parakohshme ose jo, duke i dalë përballë paligjshmërisë me një kandidaturë serioze.
Dje kam propozuar që debati duhet të zhvillohej në truallin e inceneratorit që nuk ekziston në Sharrë, në mënyrë që Tirana të marrë mesazhin se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe se gjithçka ka ndodhur nën drejtimin e Veliajt, është një tragjedi për taksat vendore dhe pasojat që kanë ndodhur në jetën e qytetarëve, nuk do të ndodhë më.
Të komentosh një debat juridik mes dy palëve të paligjshmërisë, është të biesh një kurth politik.
Erion Veliaj është një kufomë politike, çdo vendim i marrë në Bashkinë Tiranë është bërë me votat e Këshillin Bashkiak dhe sot bashkë me Veliajn duhet të shkarkoheshin dhe këshilltarët socialist që në çdo paligjshmëri kanë qenë në krah të Veliajt, për gjithë atë barbari që ka ndodhur.
Debati juridik mes Erion Veliajt dhe Edi Ramës në distancë, është si të flasësh për moral në një shtëpi publike.
Veliaj dhe Rama janë njësoj përgjegjës për krimet që kanë kryer ndaj qytetarëve të Tiranës dhe një qyteti që prej 14 vitesh ka humbur shumë simbole të identitetit të tij historik dhe kulturor, nga shembja e Teatrit Kombëtar, një barbari që fillon nga sheshi “Skënderbej” ku kullat ulërasin në mes të ditës.
Ndërkohë që kemi një aksion fals të Kryeministrit për ti dhënë fund ndërtimeve pa leje, ndërkohë që kullat pa leje të Edi Ramës dhe Erion Veliajt “ulërasin” ngado.
Opozita në çdo rast do të marrë pjesë në zgjedhje, qofshin këto të parakohshme ose jo. Opozita është e vendosur t’i dalë përballë paligjshmërisë me një kandidaturë serioze, sigurisht vendimmarrja i takon PD, si forca më e madhe e koalicionit.
Kushdo që do të kandidohet nga opozita është një figurë që jam i bindur se do të ketë epërsi të lartë morale, përballë një kandidateje që mbart me vete jo vetëm simbolikën e Covidit, kur Shqipëria shënoi numrin më të madh të jetëve nga pandemia në raport me numrin e popullsisë, për shkak të menaxhimit joefektiv të kësaj situate.
Kushdo që do të jetë kandidati që do të propozohet nga PD, do të jetë një figurë që do të ketë një epërsi të lartë morale nga një kandidaturë që u emërua si kandidate dhe që mbart me vete shëmti në raport me ligjin, financat publike por dhe një figurë që ka dështuar si drejtuese në disa sektorë.
Një kandidate që është aty vetëm se është besnike e verbër e Edi Ramës dhe nuk ka asnjë meritë tjetër.
Është një kandidate e stërprovuar në aftësitë e saj menaxheriale dhe politike. Nuk ka asnjë garë në të cilën opozita hyn për të humbur zgjedhjet.