Takimi për Estoninë/ Rutte: NATO e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat!
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është shprehur se Aleanca e Atlantikut të Veriut është e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat.
Deklaratat e zyrtarit më të lartë të NATO-s, u bënë pas takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut për Estoninë, teksa tha se u “riafirmua edhe një herë se angazhimi ynë i përbashkët për mbrojtjen kolektive, është i palëkundur”.
“Ne nuk duam të shohim një vazhdim të këtij modeli të rrezikshëm nga Rusia, të qëllimshëm apo jo, por ne jemi të gatshëm dhe të vullnetshëm të vazhdojmë të mbrojmë çdo centimetër të territorit aleat”, theksoi Rutte.
Sekretari i Përgjithshëm, ripërsëriti se ajo që po bëjnë rusët “qoftë e qëllimshme apo jo”, është “e pamatur”, “e papranueshme” dhe “duhet të ndalet”.
Ai thotë se këto provokime nuk do ta dekurajojnë NATO-n nga mbështetja e Ukrainës, "nëse kjo është ajo që ata mund të mendojnë se mund të arrijnë".
Shefi i NATO-s tha se është ende herët për të përcaktuar se çfarë fshihet pas incidentit me dron në Kopenhagen të Danimarkës.
Ai thotë se incidentet përfshinin “tre dronë të mëdhenj” dhe “danezët në këtë moment po vlerësojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur për t’u siguruar se çfarë fshihet pas kësaj”.
“Jemi në kontakt shumë të ngushtë për këtë çështje, kështu që është shumë herët për të thënë”, thotë ai.
Lidhur me rastin e ndërhyrjes ruse në Estoni, Rutte thotë se u vlerësua se avionët luftarakë “nuk përbënin asnjë kërcënim të menjëhershëm”, dhe për këtë arsye u shoqëruan jashtë hapësirës ajrore estoneze pa një reagim më të fortë.
Deklaratat u bënë pas takimit të kësaj të marteje të Këshillit të Atlantikut të Veriut, lidhur me shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia javën e kaluar./ The Guardian.