NATO: Moska të ndalojë shkeljet, janë një përshkallëzim! Rusia mohon se fshihet pas dronëve në aeroportet e Kopenhagen e Oslos

“Rusia mban plotësisht përgjegjësi për këto veprime, të cilat përbëjnë një përshkallëzim, rrezikojnë të çojnë në vlerësime të gabuara dhe vënë në rrezik jetë njerëzish: ato duhet të ndalojnë.” – thuhet në deklaratën e NATO-s pas mbledhjes së Këshillit të Atlantikut, të thirrur sipas nenit 4 me kërkesë të Estonisë, pas shkeljes së fundit nga avionët luftarakë rusë MiG.

“Nuk duhet të ketë asnjë dyshim: NATO dhe aleatët, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, do të përdorin të gjitha mjetet ushtarake dhe jo-ushtarake të nevojshme për t’u mbrojtur dhe për të frenuar çdo kërcënim që vjen nga çdo drejtim” thuhet më tej në deklaratë.

Ndërkohë Rusia ka mohuar të ketë lidhje me fluturimet e dronëve që detyruan mbylljen e hapësirës ajrore të aeroportit të Kopenhagës për disa orë gjatë natës, pasi kryeministrja daneze deklaroi se nuk mund të përjashtonte përfshirjen ruse, raportoi AFP.

“Ne dëgjojmë akuza të pabazuara nga atje çdo herë. Ndoshta një palë që ka një qëndrim serioz e të përgjegjshëm nuk duhet të bëjë akuza të tilla pa baza vazhdimisht,” tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një komunikim të përditshëm me gazetarët.

Nga ana tjetër zëdhënësi i mbrojtjes së BE-së, Thomas Regnier, bëri të ditur se Danimarka i është bashkuar grupit të vendeve kufitare që do të diskutojnë të premten me komisionerin e mbrojtjes së BE-së, Andrius Kubilius, rreth projektit për “murin e dronëve”.

Vendet pjesëmarrëse janë: Bullgaria, Estonia, Finlanda, Letonia, Lituania, Polonia dhe Rumania.