Avokatët e Altin Hajrit kërkojnë pezullimin e gjyqit dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese
Në gjyqin që zhvillohet në mungesë ndaj Altin Hajrit, avokatët mbrojtës i kërkuan Gjykatës së Posaçme të pezullonte procesin gjyqësor dhe të dërgonte për interpretim në Gjykatën Kushtetuese pretendimin që ata kanë ngritur lidhur me një nen të Kodit Penal.
Mbrojtja ligjore e Hajrit i është drejtuar gjykatës me kërkesë për kontroll incidental, duke u bazuar në nenin 145/2 të Kushtetutës, dhe duke pretenduar se neni 109/3 i Kodit Penal është antikushtetues. Sipas tyre, kjo dispozitë, kur rrëmbimi sjell pasojë vdekjen, parashikon vetëm dënim maksimal me burgim të përjetshëm, pa përcaktuar një dënim minimal.
Avokatët argumentojnë se kjo situatë i mohon gjykatës të drejtën për të individualizuar dënimin, në referencë me nenet 17 dhe 42 të Kushtetutës si dhe nenet 47–50 të Kodit Penal.
GJKKO, pas shqyrtimit të kërkesës, deklaroi se nëse konstaton shkelje të mundshme kushtetuese, do t’i drejtohet vetë Gjykatës Kushtetuese për interpretim.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme paraqiti provat shkresore ndaj Altin Hajrit. Sipas prokurores Elida Kaçkini, Hajri ka qenë në dijeni të rrëmbimit të Jan Prengës. Nga këqyrja e pamjeve filmike, ai ndodhej në kompleksin “Golden” në momentin kur mbërriti trupi i Prengës dhe madje është parë duke mbyllur qepenin e garazhit.
Hetimet kanë zbuluar se rrëmbimi i Jan Prengës lidhet me një sasi droge të vjedhur nga vëllai i tij në portin Portsmouth, në Angli. Altin Hajri ka pasur njohje me autorët e rrëmbimit dhe, sipas një letër-porosie të ardhur nga autoritetet holandeze, ai ka qenë më herët i dënuar në Holandë për trafik droge – dënim që e ka përfunduar në vitin 2019.
Gjithashtu, në provat e reja që i janë dorëzuar organit të akuzës përfshihen edhe komunikime të zhvilluara përmes aplikacionit SKY ECC, në të cilat Hajri ka biseduar me të pandehurit e tjerë të këtij procesi. Me Gentjan Funiqin, ai ka folur konkretisht për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Pasi SPAK paraqiti provat e reja shkresore, avokatët e Hajrit kërkuan kohë për t’u njohur me to. Për këtë arsye, seanca u shty për më datë 6 tetor, në orën 14:00.
Procesi ndaj Altin Hajrit ishte pezulluar për një vit për shkak të mosarrestimit të tij nga policia. Gjykimi ka rifilluar në GJKKO, me një trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani (kryesues), dhe anëtarët Bib Ndreca dhe Gerd Hoxha.