Ousmane Dembélé, Topi i Artë 2025 dhe jeta larg reflektorëve
Fituesi i Topit të Artë 2025, Ousmane Dembélé, është një nga futbollistët më të ndjekur në botë, por pavarësisht famës ka arritur të ruajë një jetë private të thjeshtë dhe diskrete.
I lindur më 15 maj 1997 në Vernon, Francë, Dembélé ka rrënjë nga Mauritania, Senegali dhe Mali. Ai u rrit në Évreux, në një ambient të vështirë ekonomikisht, ku futbolli u bë streha dhe pasioni i tij kryesor. Hapat e parë i hodhi me Rennes, më pas shpërtheu te Borussia Dortmund, u afirmua te Barcelona dhe arriti kulmin me Paris Saint-Germain, duke u kurorëzuar si lojtari më i mirë në botë.
Në dhjetor 2021 ai u martua me Rima Edbouche, një franceze me origjinë marokene, influencuese dhe themeluese e markës së modës myslimane Razalae. Çifti i surprizoi të gjithë me dasmën e tyre, të zhvilluar në Marok sipas ritit islamik. Rima, e cila ka mijëra ndjekës në rrjete sociale, është një figurë diskrete: ajo nuk tregon kurrë fytyrën në postimet e saj, duke respektuar vlerat dhe privatësinë që ndan me bashkëshortin.
Në vitin 2022, Dembélé dhe Rima u bënë prindër për herë të parë. Lajmin e lindjes së vajzës e ndau vetë futbollisti, megjithëse asnjëherë nuk e ka zbuluar emrin e saj. Për shkak të vendlindjes, ai e ka quajtur me përkëdheli “Katalanja”. Që prej asaj kohe, të dy kanë mbrojtur me kujdes privatësinë e vogëlushes, duke e mbajtur larg syve të medias.
Mes futbollit, familjes dhe besimit, Dembélé ka ndërtuar një jetë të ekuilibruar, duke treguar se pas një kampioni botëror fshihet edhe një njeri i thjeshtë, i lidhur fort me rrënjët dhe vlerat e tij.