Në 16:00 mblidhet Këshilli Bashkiak/ Këshilltarët socialistë zbatojnë urdhrin e Ramës, refuzohet prania e Veliajt në mbledhje

Miratohet për futjen në rend të ditës kërkesa që kanë bërë këshilltarët socialistë për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut.

Ndërkohë gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve të bashkisë së Tiranës, ku u shqyrtua kërkesa e këshilltarëve të Partisë Socialiste për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj mësohet se ka patur debate të forta mes këshilltarëve socialistë dhe atyre të opozitës.

Këshilltarët e opozitës kanë kërkuar që, krahas kërkesës së PS-së, të merret në shqyrtim edhe kërkesa e tyre e depozituar disa muaj më parë, e cila ka të njëjtin objekt: shkarkimin e Veliajt për mungesë të zgjatur në detyrë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e PS-së kanë këmbëngulur se rrethanat janë të reja dhe se aktualisht po shqyrtohet vetëm kërkesa e paraqitur nga grupi i tyre në Këshillin Bashkiak.

Këshilltari demokrat, Dorian Teliti, ka kërkuar që Erion Veliaj të dëgjohet në mbledhjen e këshillit, siç edhe ka kërkuar vetë kryetari i Bashkisë. Në përfundim, nuk është pranuar nga këshilltarët e mazhorancës që Veliaj të jetë i pranishëm dhe të dëgjohet.

Në orën 15:00 pritet të mblidhet Kryesia e Këshillit Bashkiak, e cila do të diskutojë për vendimmarrjen e Komisionit të Ligjeve dhe nëse kjo kërkesë do t’i kalojë Këshillit të plotë për shqyrtim.

Mbledhja përfundimtare e Këshillit Bashkiak është caktuar për orën 16:00, ku pritet të diskutohet zyrtarisht kërkesa për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryetarit të Bashkisë Tiranë.

Syri Tv siguroi dokumentin e socialistëve për propozimin e shkarkimit të Veliajt. Me urdhrin e Ramës këshilltarët socialistë e mbështetën kërkesën në shkeljen e nenit 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 "Për Vetëqeverisjen Vendore", që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë për të paktën 3 muaj.

Vendimi për propozimin e shkarkimit duhet të marrë të paktën 31 vota pro nga 61 këshilltarët. Pas kësaj, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës, ndërsa qeveria merr vendimin final për shkarkim.