Shkarkimi i Veliajt/ Vijon mbledhja e Komisionit të Ligjeve në Bashkinë e Tiranës! Në orën 16:00 Mbledhja e Këshillit Bashkiak
Vijon mbledhja e Komisionit të Ligjeve në Bashkinë e Tiranës ku do të futet në rend dite kërkesa që kanë bërë këshilltarët socialistë për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut.
Të pranishëm janë të gjithë këshilltarët informon gazetari i Syri Tv.
Më pas, në orën 16:00, çështja për shkarkimin e kryebashkiakut pritet që të kalojë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Vetë Veliaj nuk merr pjesë në mbledhje dhe të ketë mundësi që të flasë. Dje Këshilli Bashkiak i ka kthyer përgjigje duke i thënë se nëse nuk mund të jetë i pranishëm në mbledhje, mund të dërgojë një shkresë me komentet e tij dhe do të lexohet para Këshillit. Veliaj më parë ka lënë të hapur ankimimin e shkarkimit të tij në Gjykatën Kushtetuese të vendit, vendim i cili do të ndalonte mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në Bashkinë Tiranë.
Këshilltarët socialistë nisën procedurën për shkarkimin e Veliajt pas kërkesës së Edi Ramës në Asamblenë e PS, (11 Shtator) duke u mbështetur në shkeljen e nenit 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 "Për Vetëqeverisjen Vendore", që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë për të paktën 3 muaj.
Vendimi për propozimin e shkarkimit duhet të marrë të paktën 31 vota pro nga 61 këshilltarët. Pas kësaj, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës, ndërsa qeveria merr vendimin final për shkarkim.
Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së (11 Shtator) Rama shpalli kandidaturën e Ogerta Manastirliut për kreun e Bashkisë Tiranë.