Çfarë ka ndodhur me 'Perëndimin'?

Nga Stewart Patrick - Foreign Affairs/

Është bërë e zakonshme të flitet për të jetuarit në një "botë pas-Perëndimore". Komentuesit përdorin zakonisht këtë shprehje për të paralajmëruar shfaqjen e fuqive jo-perëndimore, më së shumti Kinën, por edhe Brazilin, Indinë, Indonezinë, Turqinë dhe shtetet e Gjirit, ndër të tjera. Por, përkrah "ngritjes së të tjerëve," po ndodh diçka po aq e thellë: rënia e vetë "Perëndimit" si një entitet i qartë dhe i kuptimshëm gjeopolitik. Perëndimi, i kuptuar si një komunitet i bashkuar politik, ekonomik dhe i sigurisë, ka kohë që është në krizë. Mandati i dytë i Donald Trump-it si president i SHBA-së mund të japë goditjen përfundimtare.

Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, një klub i ngushtë i demokracive të përparuara ekonomikisht ka qenë themeli i sistemit ndërkombëtar liberal, të bazuar në rregulla. Solidariteti i tyre buronte jo vetëm nga perceptimet e përbashkëta të kërcënimit, por edhe nga një angazhim i përbashkët për një botë të hapur, të mbështetur mbi shoqëri të lira dhe tregti liberale, dhe gatishmëria kolektive për ta mbrojtur atë rend. Anëtarët kryesorë të këtij grupi përfshinin Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar, vendet e Bashkimit Europian, si dhe disa aleatë në rajonin e Azi-Paqësorit, si ish-dominionet britanike Australi dhe Zelandë e Re, por edhe Japoninë dhe Korenë e Jugut, të cilat u integruan në sistemin aleat të pasluftës të SHBA-së dhe pranuan parimet liberale të qeverisjes demokratike dhe ekonomisë së tregut. Perëndimi përbënte thelbin e të ashtuquajturit botë e lirë gjatë Luftës së Ftohtë. Por ai i mbijetoi edhe këtij konflikti bipolar dhe madje zgjeroi kufijtë e tij duke përfshirë disa vende të ish-bllokut sovjetik dhe disa ish-republika sovjetike përmes zgjerimit të NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Gjatë 80 viteve të fundit, vendet perëndimore krijuan institucione të shumta për të çuar përpara qëllimet e tyre të përbashkëta, më të rëndësishmet NATO-n, G-7-ën, BE-në dhe Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Po aq me rëndësi, këto vende kanë koordinuar qëndrime politike brenda kornizave më gjithëpërfshirëse shumëpalëshe, si Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e saj, Banka Botërore dhe FMN-ja, Organizata Botërore e Tregtisë dhe G-20.

Sigurisht, ndarjet dhe tensionet periodike kanë sfiduar solidaritetin perëndimor. Shembujt përfshijnë krizën e Suezit në vitin 1956, sfidën e presidentit francez Charles de Gaulle ndaj strukturës së integruar të komandës së NATO-s në vitet 1960, pezullimin e papritur nga presidenti amerikan Richard Nixon të konvertueshmërisë dollar-ar në vitin 1971, krizën e raketave në Europë në vitet 1980 dhe grindjet transatlantike mbi pushtimin e Irakut nga SHBA-ja në 2003.

Por asnjë prej këtyre episodeve nuk e ka testuar kohezionin e Perëndimit aq sa rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë. Që nga janari, presidenti ka adoptuar plotësisht orientimin "Amerika e para" në politikën e jashtme, ekonomike dhe të sigurisë kombëtare. Vizioni i tij për rolin e SHBA-së në botë është hipernacionalist, sovranist, unilateralist, proteksionist dhe transaksional. Ndryshe nga paraardhësit e tij, ai rrallë flet për lidershipin global amerikan, e aq më pak për përgjegjësinë. Ai përçmon aleancat, multilateralizmin dhe të drejtën ndërkombëtare. I intereson pak demokracia, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi, dhe ka shkatërruar kapacitetin e SHBA-së për t'i promovuar ato jashtë vendit. Ai mohon rolin e vendit të tij në ofrimin e të mirave publike globale, përfshirë tregtinë e hapur, stabilitetin financiar, zvogëlimin e ndryshimeve klimatike, sigurinë globale shëndetësore dhe mos-përhapjen bërthamore. Dhe ai është mbështetësi më i dukshëm i forcave nacionaliste të djathta në Europë dhe Amerikën e Veriut, duke u apeluar nocioneve të paqarta civilizative të Perëndimit dhe duke vënë në dyshim rëndësinë e qëndrueshme të Perëndimit gjeopolitik.

Zhvendosjet e Trump-it kanë tronditur partnerët më të afërt të SHBA-së. "Perëndimi siç e njihnim nuk ekziston më," deklaroi me pikëllim në prill Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian. Udhëheqësit perëndimorë kanë kërkuar t'i mbulojnë këto të vërteta të pakëndshme, përfshirë në samitet e tyre të qershorit të G-7-ës dhe NATO-s, me përpjekje servile për ta përkëdhelur, argëtuar dhe bindur Trump-in.

Por vëzhgimi i von der Leyen-it vazhdon të bëjë jehonë sepse përputhet me atë që mendojnë dhe thonë edhe udhëheqës të tjerë, shpesh në heshtje: këtë herë gjërat janë ndryshe. Kalimi i Perëndimit si një entitet domethënës do të sjellë humbje të mëdha. Ai do ta lërë rendin ndërkombëtar të hapur dhe të bazuar në rregulla pa spirancën e tij historike dhe motorin kryesor të progresit. Idetë liberale që mbështetën Perëndimin gjeopolitik ishin në thelb universale; ato nacionaliste që e ngrejnë lart Perëndimin civilizues janë të fiksuara tek mbrojtja e kufijve dhe frika nga të tjerët. Përtej rrezikimit të parimeve liberale brenda vendit, këto prirje ka gjasa të përshpejtojnë ngritjen e një multilateralizmi joliberal, një rend ndërkombëtar minimal i formësuar dhe madje i dominuar nga fuqitë e mëdha autoritare. Sigurisht, zbehja e Perëndimit i hap mundësi fuqive të mesme konstruktive për të ndërtuar rrjete të reja bashkëpunimi ndërkombëtar të përshtatura për shekullin XXI. Por kjo gjithashtu paralajmëron një botë më pak paqësore dhe më pak bashkëpunuese sesa ajo që ndihmoi të ndërtonte Perëndimi.

Perandori me ftesë

Gjatë Luftës së Ftohtë, Perëndimi u shfaq si një aktor gjeopolitik koherent dhe i unifikuar, që përfshinte një bllok vendesh (kryesisht) demokratike të kundërta me Bashkimin Sovjetik dhe satelitët e tij, "Lindjen," sipas termit të kohës, dhe i dalluar nga vendet e "jugut global", një terren postkolonial ku një pjesë e madhe e konkurrencës globale lindje-perëndim u zhvillua në mënyrë të përgjakshme.

Ky rend bipolar nuk ishte sistemi ndërkombëtar që Shtetet e Bashkuara kishin parashikuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur planifikuesit amerikanë pasluftës hartuan projekte për një rend ndërkombëtar të hapur, të bazuar në anëtarësim universal, parime shumëpalëshe dhe mirëkuptim e bashkëpunim të fuqive të mëdha, sidomos i mishëruar nga Kombet e Bashkuara të sapokrijuara. Përballja me Bashkimin Sovjetik i hodhi poshtë këto plane dhe e detyroi SHBA-në të miratonte politikën e përmbajtjes. Nëse kishte "dy botë në vend të një," siç përfundoi diplomati amerikan Charles Bohlen në vitin 1947, kur Moska vendosi kontroll të plotë në Europën Lindore, SHBA nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të bashkonte "botën jo-sovjetike… politikisht, ekonomikisht dhe, në analizën e fundit, ushtarakisht."

Doktrina e përmbajtjes së komunizmit solli lindjen e një Perëndimi më konkretisht gjeopolitik, dhe jo thjesht në mënyrë të paqartë civilizues, që u mishërua shpejt në institucione të reja si NATO, një Europë në integrim dhe OECD. Perëndimi u bë një rend brenda një rendi, një klub demokracish të tregut i vendosur brenda një sistemi global më gjithëpërfshirës, të përbërë nga organizata me anëtarësi të gjerë si OKB-ja, Banka Botërore, FMN-ja dhe Marrëveshja e Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë. Me kalimin e kohës, ky rend i brendshëm përfshiu një gamë më të gjerë demokracish të tregut, më së shumti Japoninë, e cila nuk ishte perëndimore në kuptimin kulturor tradicional, por pranoi parimet politike dhe ekonomike liberale. Kur disa analistë sot i referohen "veriut global," ata flasin për këtë rend të brendshëm.

Një lidhje e përbashkët me demokracinë, si edhe me kapitalizmin, mbështeti solidaritetin perëndimor. Preambula e Traktatit të Uashingtonit (1949), që themeloi NATO-n, u zotëson anëtarëve të aleancës të "mbrojnë lirinë, trashëgiminë e përbashkët dhe civilizimin e popujve të tyre, të bazuar mbi parimet e demokracisë, lirisë individuale dhe sundimit të ligjit." Cinikët mund ta hedhin poshtë këtë gjuhë si zbukurim sentimental, por gabojnë. Këto angazhime ndikuan realisht në sjelljen e aleatëve, duke formësuar mënyrën se si vendet perëndimore e kuptonin interesin kombëtar, komunikonin me njëri-tjetrin dhe zgjidhnin mosmarrëveshjet, aq sa, për shembull, ideja e një lufte mes anëtarëve të rendit të brendshëm u bë e paimagjinueshme. Sigurisht, ky grup shpesh e vlersonte më shumë demokracinë brenda vetë Perëndimit sesa tek vendet në zhvillim dhe ato postkoloniale, sidomos aty ku publiku prirej majtas.

Përtej idealeve të përbashkëta, aleatët perëndimorë gjenin ngushëllim te stili konsensual i udhëheqjes së Uashingtonit, që e zbutte realitetin e dominimit amerikan. Presidenti Dwight Eisenhower e mbështeti këtë qasje në fjalimin e tij të parë inaugural, në janar 1953, me një gjuhë që sot duket si nga një epokë e largët: "Për të përballuar sfidën e kohës sonë, fati i ka dhënë vendit tonë përgjegjësinë e udhëheqjes së botës së lirë. Prandaj është e drejtë që t'u sigurojmë miqve tanë se, në ushtrimin e kësaj përgjegjësie, ne amerikanët njohim dhe zbatojmë dallimin mes udhëheqjes botërore dhe imperializmit; mes vendosmërisë dhe ashpërsisë; mes një qëllimi të llogaritur me kujdes dhe një reagimi të vrullshëm ndaj shtysës së emergjencave." Nëse SHBA-ja gëzonte një imperium brenda Perëndimit, ai ishte, sipas historianit Geir Lundestad, një "perandori me ftesë."

Perëndimi mbeti një koncept dhe entitet i vlefshëm gjeopolitik edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe Lindjes së tij. Do të kishte qenë e natyrshme që një klub i formuar në kundërshtim me Bashkimin Sovjetik të humbiste kuptimin pasi rivali u zhduk. Por të paktën gjatë viteve 1990, ky grup nuk u fragmentua në blloqe rivale, as nuk u përpoq të minonte unipolaritetin amerikan. Përkundrazi, ekzistonte një pritshmëri e përhapur, edhe pse naive, se komuniteti botëror i demokracive të tregut, pra, Perëndimi, do të zgjerohej me domosdo, duke përfshirë më shumë vende që do të përqafonin vlerat liberale, universale dhe arkitekturën normative të rendit ndërkombëtar të hapur, të bazuar në rregulla.

Këto shpresa nuk u realizuan. Në vend të universalizimit të Perëndimit, bota pa "ngritjen e të tjerëve," një mori fuqish të mëdha e rajonale të vendosura jo vetëm për të ngritur zërin në institucionet ndërkombëtare, por në disa raste, edhe për të sfiduar parimet organizuese të atyre institucioneve. Më gradualisht dhe në mënyrë më të nënkuptuar, Perëndimi filloi të merrte një dimension më civilizues, një proces i përshpejtuar nga sulmet e 11 shtatorit dhe "lufta kundër terrorizmit" që pasoi, si edhe nga krizat e migrimit masiv dhe reagimi pasues nacionalist në vitet 2010.

Megjithë këto sfida, vetë solidariteti perëndimor mbeti i fortë, madje edhe pas mandatit të parë të stuhishëm të Trump. Komuniteti i demokracive të tregut të përparuar u ringjall gjatë administratës së presidentit Joe Biden, i bindur jo vetëm për garancitë e sigurisë nga SHBA-ja, por edhe për angazhimin më të gjerë të Uashingtonit ndaj parimeve liberale dhe vizionit të një rendi ndërkombëtar të hapur, të bazuar në rregulla. Në përgjithësi, qeveritë perëndimore vijuan të ndiqnin udhëheqjen e SHBA-së, sepse e shihnin atë si një investim të qëndrueshëm dhe ishin të sigurt se nëse gjërat vështirësoheshin, SHBA-ja do t'u dilte në krah dhe do t'i shpëtonte. Ishte një marrëveshje e ndërtuar mbi besim, e mbështetur nga një angazhim për vlera të përbashkëta, rregulla të përbashkëta dhe detyrime reciproke.

Një shtëpi e përçarë

Tetë muaj pas fillimit të mandatit të dytë të Trump, ai besim tani është thyer. Në samitet e tyre të G-7 dhe NATO-s në qershor, partnerët e SHBA-së u përpoqën me vështirësi të mbulonin përçarjet në rritje, përfshirë ato mbi vendosjen e tarifave të larta nga Trump, detyrimin e aleatëve për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe goditjen e njëanshme ndaj objekteve bërthamore të Iranit. Duke iu përulur e nënshtruar, udhëheqësit e mbledhur e lavdëruan presidentin për guximin e tij, duke anashkaluar faktin që ngacmimet e tij të vazhdueshme përbëjnë një largim të thellë nga stili konsultativ që ka dalluar marrëdhëniet mes vendeve perëndimore nga diplomacia rutinë.

Aleatët më të afërt të SHBA-së nuk mund të mbështeten më verbërisht te garancitë e sigurisë së Uashingtonit. Retorika dhe kapriçot e presidentit kanë bërë që shumë vende europiane të rrisin shpenzimet e mbrojtjes, një rezultat pozitiv, pa dyshim, dhe jo në kundërshtim të drejtpërdrejtë me idenë e një Perëndimi të bashkuar. Por Trump gjithashtu ka larguar aleatët dhe ka gjallëruar përpjekjet e gjata të BE-së për të ndjekur autonomi strategjike, që do t'i lejonte bllokut jo vetëm të tregonte peshën e tij ushtarake, por edhe të ndiqte një kurs gjeopolitik të pavarur. Edhe në rajonin Azi-Paqësor, aleatët shqetësohen se SHBA-ja mund të anulojë papritur mbulimin e tyre të sigurimeve. Ndërkohë që Trump godet sistemin tregtar shumëpalësh të bazuar në rregulla me tarifa të gjera, aleatët e SHBA-së po lëvizin gjithashtu për të diversifikuar opsionet tregtare dhe për t'u angazhuar me partnerë më të besueshëm, duke rimodeluar kështu sistemin global të tregtisë.

Një sjellje e tillë rezervuese është në përputhje me opinionin publik. Anketat në Europë tregojnë një rënie të fortë të miratimit për SHBA-në dhe një dobësim të besimit te aleanca transatlantike. Në pranverën e vitit 2025, vetëm 28 përqind e të anketuarve e konsideronin SHBA-në një "aleat disi të besueshëm", nga mbi 75 përqind që ishin një vit më parë.

Një viktimë institucionale e shkëputjes së Trump nga Perëndimi është G-7. Që nga fillimet e tij në vitet 1970, G-7 ka qenë simbol i solidaritetit perëndimor dhe shtyllë e qeverisjes ekonomike globale, duke bashkuar demokracitë më të rëndësishme të tregut të përparuar: Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në, si edhe BE-në. Edhe pse shumë shkruan nekrologjinë e tij gjatë krizës financiare globale, kur rrezikoi të zëvendësohej nga G-20, ai u ringjall fuqishëm në vitin 2014, kur anëtarët perëndimorë të atëhershëm të G-8 përjashtuan Rusinë për mbështetjen e shkëputjes në Ukrainën lindore dhe aneksimin e Krimesë. Trump, megjithatë, ka kritikuar vazhdimisht përjashtimin e Rusisë dhe nuk ka fshehur përçmimin e tij për G-7, madje e braktisi samitin e tij në 2018 me inat. Shumë vëzhgues tani e quajnë këtë organ "G-6 plus një." Shkëputja e SHBA-së nga G-7 rrezikon t'i privojë anëtarët e tij nga diçka që G-20 më heterogjene nuk mund ta ofrojë kurrë: një klub me të njëjtin mendim, ku demokracitë kryesore të tregut të botës mund të harmonizojnë qëndrimet politike në përputhje me angazhimin e tyre ndaj një bote të hapur, të bazuar në rregulla dhe parime liberale të përbashkëta.

Të kapura mes unilateralizmit të Trump dhe dyshimeve ndaj Kinës, fuqitë e mesme perëndimore kanë filluar të eksplorojnë partneritete të reja, fleksibël me fuqitë e reja në zhvillim, si pjesë e një prirjeje më të gjerë drejt një sistemi ndërkombëtar të përcaktuar nga "multi-rreshtimi," ku vendet ndjekin fleksibilitet maksimal në marrëdhëniet e tyre diplomatike, ekonomike dhe të sigurisë, në vend që të lidhen në mënyrë të qëndrueshme me fuqi apo blloqe të caktuara. Pikërisht kjo po ndodh, me BE-në dhe anëtarët e saj individualë që përpiqen të krijojnë lidhje më të ngushta tregtare dhe diplomatike me vende si Brazili, India, Indonezia dhe Afrika e Jugut.

Zbehja e Perëndimit

Gjatë mandatit të tij të parë, kur ishte ende i kufizuar nga institucionalistët, Trump e përdorte herë pas here konceptin e Perëndimit. Duke folur në Varshavë në korrik 2017, ai deklaroi se "pyetja themelore e kohës sonë është nëse Perëndimi ka vullnetin të mbijetojë." Megjithatë, sjellja e tij në detyrë, duke u afruar me Vladimir Putinin dhe autokratë të tjerë, tregon se ai nuk e sheh Perëndimin si një entitet gjeopolitik të epokës së Luftës së Ftohtë, të ndërtuar mbi kërcënime të përbashkëta dhe vlera liberale, por si një civilizim të mjegullt etnonacionalist, të bazuar më shumë te rrënjët historike dhe gjeografike sesa te parimet politike liberale.

Sot Perëndimi po ndahet, duke kaluar nga një kuptim i solidaritetit gjeopolitik e ideologjik në një përkufizim më civilizacional, sidomos në Shtetet e Bashkuara, ndërsa besimi në aleancat transatlantike dhe të tjera po zbehet. Kjo e bën të drejtë pyetjen mbi koherencën dhe vlerën e vetë kategorisë së "Perëndimit". Ironia është se për vite me radhë kritikët në SHBA dhe Europë kanë hedhur poshtë konceptin e gjerë të "Jugut Global", duke e parë si një etiketë tepër të gjërë për mbi 100 shtete me histori, institucione dhe interesa të ndryshme. Sot e njëjta dyshim po ngrihet për Perëndimin. Solidariteti strategjik dhe ideologjik mes SHBA-së dhe demokracive të mëdha të tregut është dobësuar. Nuk është vetëm pasojë e Trump-it, as një ndarje e thjeshtë ku Amerika shkon në një drejtim dhe aleatët në një tjetër. Në shumë demokraci të zhvilluara, elektoratet janë polarizuar, qendrat politike janë delegjitimuar dhe përplasja mes progresistëve kozmopolitë dhe nacionalistëve konservatorë po rritet, përfshirë mbi vetë kuptimin e Perëndimit.

Këto tensione dolën në pah hapur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tronditi publikun europian duke thënë se kufizimet "woke" ndaj partive të djathta ekstreme paraqesin rrezik më të madh për lirinë dhe sigurinë perëndimore sesa pushtimi rus i Ukrainës. Në thelb të kritikës së tij ishte një vizion i Perëndimit të bazuar jo në parimet ndriçuese të liberalizmit, por në një identitet civilizacional dhe lidhje organike me vendin.

Për dekada, demokracitë e tregut të zhvilluar kanë vepruar së bashku në kriza, kanë mbrojtur të drejtat e njeriut dhe kanë harmonizuar politikat brenda organizatave ndërkombëtare. Rënia e Perëndimit si njësi gjeopolitike e besueshme po e bën gjithnjë e më të mundshme që SHBA dhe ish-aleatët e saj të veprojnë kundër njëri-tjetrit. Nuk bëhet fjalë thjesht për rënien e hegjemonisë amerikane, por për braktisjen nga Uashingtoni të internacionalizmit dhe normave liberale, duke krijuar dallime të thella vlerash dhe perceptimesh kërcënimi brenda vetë Perëndimit.

Kjo çarje është e rëndë sepse ndodh në bërthamën e rendit botëror të ngritur pas viteve 1940. Ajo krijon gjithashtu zgjedhje të reja për fuqitë e mesme, si në Perëndim ashtu edhe në ekonomitë në zhvillim që nuk duan as hegjemoninë amerikane, as atë kineze. Brazil, Indi, Indonezi dhe Afrikë e Jugut shohin hapësira për bashkëpunim me demokracitë e tregut si Australia, Kanada, Franca, Gjermania, Japonia dhe Mbretëria e Bashkuar, që mund të kërkojnë partnerë të rinj në një botë post-perëndimore.

Por, konfigurimet e reja që do të dalin nuk mund të riprodhojnë arritjen më të madhe të rendit të vjetër: Perëndimi ishte një zonë paqeje, ku anëtarët e tij nuk do të luftonin kurrë kundër njëri-tjetrit. Pa të, bota mbetet më e prirur ndaj dyshimeve, armiqësive dhe konflikteve. /Foreign Affairs - Syri.net