Al-Khelaifi shpërthen pas triumfit të Dembélé-së: Një ditë historike, fitoi kolektivi
Ousmane Dembélé është shpallur fitues i “Topit të Artë 2025”, duke sjellë një sukses historik për Paris Saint-Germain. Presidenti i klubit francez, Nasser Al-Khelaifi, nuk e fshehu emocionin e tij pas ceremonisë madhështore, duke e cilësuar këtë moment si një fitore jo vetëm të lojtarit, por të gjithë skuadrës.
“Është një ditë historike për ne. Është diçka madhështore. Nuk është thjesht një triumf personal, është i gjithë grupi që fitoi. Ky është thelbi i një klubi: të ecim përpara së bashku. Një trofe individual ka rëndësi, por ajo që vlen mbi të gjitha është kolektivi. Ne punojmë për skuadrën, për stemën e PSG-së, dhe ky është mesazhi më i rëndësishëm,” – tha Al-Khelaifi për L’Équipe.
Presidenti i PSG-së shpjegoi edhe arsyen pse mungoi në ndeshjen e kampionatit ndaj Marseille, ku parizienët pësuan humbjen e parë pas 14 vitesh në “Velodrome”:
“Doja të shkoja në Marsejë, por nuk ishte e lehtë. Ishte jetike të isha këtu sonte, për të përfaqësuar klubin. Dhe ishte momenti i duhur.”
Falënderimi i Dembélé-së pas fitimit të trofeut
Vetë Dembélé, nga skena e ceremonisë, nuk harroi të falënderonte klubin dhe njerëzit që e kanë mbështetur:
“Para së gjithash dua të falënderoj Paris Saint-Germain që më mori në vitin 2023. Është një familje e jashtëzakonshme. Presidenti Nasser ka qenë gjithmonë pranë meje, është si një baba për mua. Njësoj edhe trajneri Luis Enrique, një figurë vendimtare në karrierën time. Dua të falënderoj gjithashtu stafin dhe shokët e skuadrës. Ky sezon 2024-2025 ka qenë i jashtëzakonshëm, kemi fituar pothuajse gjithçka. Ky trofe personal është në fakt një fitore jona, e të gjithëve.”