Mesazhi i Messi-t për Dembélé-në dhe këshilla që i ndryshoi karrierën

Pas triumfit në “Topin e Artë” 2025, Ousmane Dembélé ndau emocionet e tij me 18 milionë ndjekësit në Instagram:

“Shumë gëzim, krenari dhe emocion. Një ëndërr e bërë realitet. Faleminderit të gjithëve që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim!”.

Mes mijëra urimeve që mori sulmuesi i PSG, u dallua ai i Lionel Messit, ish-shoku i tij te Barcelona (2017–2021):

“Grande Ous! Urime, jam shumë i lumtur për ty. E meriton”.

Marrëdhënia mes dy lojtarëve ka qenë gjithmonë e veçantë. Dembélé e pranoi se këshillat e Messit ishin thelbësore në formimin e tij:

“Që nga dita e parë pata një lidhje fantastike me të. Garderoba ime ishte ngjitur me të dhe gjithmonë më jepte këshilla. Messi e kuptonte menjëherë se për çfarë kisha nevojë. Për mua është më i madhi, një lojtar që më frymëzon”.

Francezi tregoi gjithashtu edhe këshillën më të rëndësishme që mori nga “pleshti”:

“Messi më tha të isha serioz nëse doja të arrija ëndrrat e mia. Pas asaj fjale, nisa të mësoja nga çdo gjë që ai bënte në fushë. Ajo këshillë më ndryshoi jetën”.