Dembélé, në lot pas triumfit historik: Nuk e prisja kurrë ‘Topin e Artë’

Mbrëmja e madhe në “Théàtre du Châtelet” të Parisit i përkoi momentit më të lartë të karrierës së Ousmane Dembélé. Sulmuesi i PSG u shpall fitues i “Topit të Artë” 2025, duke marrë trofeun nga legjenda braziliane Ronaldinho.

Francezi, i pushtuar nga emocionet, mezi foli pas shpalljes:

“Është diçka e pabesueshme, jam pa fjalë. Sezoni me PSG-në ka qenë fantastik. Jam pak nervoz, nuk është e lehtë të flas, por ky çmim është i jashtëzakonshëm”.

Mes lotësh, Dembélé gjeti forcën për të falënderuar ata që e ndihmuan në këtë rrugëtim:

“Jam krenar për gjithçka që kam arritur. Falënderoj PSG-në që besoi tek unë që nga viti 2023, presidentin, trajnerin Luis Enrique, stafin dhe bashkëlojtarët. Kemi fituar pothuajse gjithçka dhe ky çmim është i gjithë skuadrës. Një falënderim i madh shkon edhe për Barcelonën, aty ku fillova të realizoj ëndrrat e mia”.

Në fund, fituesi i “Topit të Artë” pranoi se ky trofe nuk ishte asnjëherë një synim personal:

“Ky çmim nuk ishte objektivi im, por fakti që e fitova është thjesht i pabesueshëm”.