'Rama nuk është i paditur në këtë histori'/ Vangjeli: Veliajt iu rreshtuan të gjithë kundër, çfarë ka bërë...
Ditën e nesërme pritet një shkarkim me urdhër të kryeministrit Edi Rama të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Në emisionin “Çim Peka Live” në Syri TV, analisti Lorenc Vangjeli u shpreh se askush nga ata që nuk e duan Veliajn në zyrë, nuk e do as në sallë për të bërë apologjinë e tij. Ai theksoi se Rama nuk mund të ketë qenë i paditur për këtë histori dhe se ndërhyrja e tij është një vendim ekstrem.
“Ligjërisht, Veliaj nuk duhej të shkarkohej. Masa e arrestit, akuzat dhe rrëzimi i kontratës publike me qytetarët e Tiranës janë akte të padrejta. Kjo është një dopio standard i Ramës, i drejtësisë dhe i gjithë sistemit politik në vend,” – tha Vangjeli.
Sipas tij, Veliajt, të cilit fati i buzëqeshi shumë shpejt, sot i janë rreshtuar të gjithë kundër, ndërsa në Partinë Socialiste, vijon të funksionojë një “vijë e kuqe” e paprekshme.
Ndërkohë, Tirana ndodhet në një ngërç të thellë, me mungesë të plotë legjitimiteti institucional. Vangjeli paralajmëroi se në këtë klimë politike, ku “shata, shpata e hanxhari” përdoren si mjete, çdo përpjekje për komunikim e kompromis është e destinuar të dështojë.
Vangjeli:
Askush nga ata që nuk e do në zyrë Veliajn, nuk e do as në atë sallë nesër që të bëjë më së paku apologjinë e tij.
Unë nuk besoj se Edi Rama ishte i paditur në këtë histori, nuk ishte i paditur…
Unë mendoj që ligjërisht nuk do të duhej të shkarkohej Veliaj, mungesa e tij ka një arsye dhe nëse i hyjmë edhe bitit të arsyes, pavarësisht akuzave dhe mëkateve të kryera apo të supozuara, masa e arrestit me burg dhe grisja e kontratës së tij publike dhe politike që pati me votuesit e Tiranës, për mua është një akt ekstrem i padrejtë.
Është dopio standart i Ramës, nëse doni është dopio standart edhe i drejtësisë, edhe standart i dyfishtë në qëndrime politike, publike, si të doni.
Veliajt, të cilët fati i buzëqeshi shumë shpejt, dhe ndoshta në mënyrë të hiperbolizuar, papritur pa që iu rreshtuan të gjithë kundër, se ku ka shkelur e çfarë ka bërë, unë nuk e di…
Por di që në Partinë Socialiste, njëlloj si në Partinë Demokratike dje dhe sot dhe njëlloj si do të jetë edhe nesër në një të ardhme lehtësisht të parashikueshme, ka një vijë të kuqe.
Ndërkohë që ende kërkojmë zgjidhjen e këtij ngërçi, sepse Tirana realisht është në ngërç, ka mungesë legjitimiteti institucional në drejtimin e saj.
Unë mendoj se të gjitha palët do të duhej të kërkonin dhe një kompromis, por zakonisht në një vend ku shata, shpata, hanxhari janë zakonisht mjete, të tentosh të komunikosh është histori e pamundur.