Salianji: Rama nuk i duron dot kritikat verbale, i do të gjitha siç i ka në PS apo Qeveri

Mandati i radhës qeverisës për Edi Ramën dhe socialistët ka shkaktuar debate të shumta me opozitën, herë për rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit, apo dhe brenda sallës së Kuvendit.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ishte i ftuar në Klan News, ku analizoi pak sjelljen e opozitës në Kuvend, si dhe risinë e re të qeverisë, ministren ‘Diella’, e krijuar prej Inteligjencës Artificiale.

Lidhur me programin e qeverisë, i cili nuk u arrit në asnjë moment të prezantohej pas tensioneve të shkaktuar në sallën e Kuvendit që pas ‘fjalimit’ të ‘Diellës’, Salianji u shpreh se në fjalë të tjera se është prekur interesi publik me këtë gjë. Kjo është hera e parë që nuk prezantohet programi qeverisës, e ndaj për demokratin ajo ishte një ditë e humbur, pas sherrit me opozitën.

‘Së pari një herë duhet të flasim për interesin publik, interesin e qytetarëve. Interesi publik dhe i të gjithë qytetarëve është të dëgjojë programin i qeverisë. Nuk ka nevojë për të gjetur artifica nga ana e qeverisë për të shmangur prezantimin e programit, e po ashtu edhe debatin e deputetëve në raport me programin. Kuptohet që mazhoranca duke qartësuar programin e vet nëse ka, e opozita duke bërë opozitën dhe mbrojtjen e interesit publik, apo pjesën e kundërshtisë së programit. Në këtë kuptim, unë mendoj se kjo ishte një ditë e humbur. E para herë që ndodh. Nuk ka ndodhur ndonjëherë mosprezantimi i programit’, tha ai.

Sipas Salianjit, mos prezantimi i programit, tregon se Rama nuk ka durim për t’u përballur me kritika.

‘Tregon se është patologji, se nuk mund të them frikë. Është një lloj patologjie, apo padurimi i kryeministrit Edi Rama, qoftë për t’u përballur me kritika verbale në Parlament. Pra, i do të gjitha siç i ka PS, siç i ka në qeveri, siç i ka në drejtësi për fat të keq, siç i ka në të gjitha institucionet e tjera që duhej të ishin të pavarura’, shtoi ai.

Pas pretendimeve të opozitës se dalja e Diellës ishte një kurth, Salianji këshilloi se deputetët nuk duhet të bien pre e këtyre ‘grackave’.

Mungesa e interesit të qeverisë për të bërë prezantimin, që nuk ka se duhet të ketë dhe bilanc pas 12 vitesh, është një element i cili është I dëmshëm për interesin publik. Nga ana tjetër, nëse opozita dhe kolegët e grupit parlamentar e kanë cilësuar një kurth, unë mendoj se duhet të shmangin kurthe të tilla’, këshilloi Salianji.

Nga ana tjetër, për ish-deputetin, ‘Diella’ nuk përfaqëson një figurë shqetësuese për qytetarët. Sipas tij, ministrja prej AI, është thjesht një marketing i Ramës, ose siç e cilësoi demokrati, ‘operacion PR’. Për Salianjin, ‘Diella’ është thjesht një ‘vëmendje mediatike’.

‘Nuk besoj në fakt se shqetësimi i qytetarëve është Diella apo një lodër tjetër e Edi Ramës. Kemi të bëjmë, le të themi, me një operacion PR-i, në këndvështrimin tim, duke qenë se ka një patologji tjetër kryeministri për t’u dukur si lider global. Një herë del e thotë shteti bektashi që merr vëmendje. Tani do dali që është qeveria e parë që bën një ministre, që në fakt nuk është as ministre se duhet të jetë person fizik. Pra, ai do të prodhojë lajm’, u shpreh Salianji.