Super tajfuni godet Filipinet, mijëra të evakuuar

Një super tajfun që ka detyruar mijëra njerëz të evakuohen në Filipine është “dobësuar pak”, sipas agjencisë shtetërore të motit të vendit.

Super tajfuni Ragasa preku tokën në ishullin Panuitan, një nga Ishujt Babuyan në provincën veriore Cagayan të Filipineve, rreth orës 15:00 me orën lokale (08:00 GMT) të hënën. Me erëra që arrijnë deri në 285 km/h, Ragasa pritet të lëvizë drejt perëndimit, në drejtim të Kinës jugore.

Megjithëse ka pësuar një dobësim të lehtë, tajfuni mbetet një rrezik i madh për jetën, duke shkaktuar dallgë të larta që mund të kalojnë mbi 3 metra, sipas autoriteteve të motit në Filipine.

Zyrtarët kanë paralajmëruar për përmbytje të përhapura, rrëshqitje dheu, dhe dëme të konsiderueshme në banesa dhe infrastrukturë. Shkollat dhe institucionet shtetërore janë mbyllur në pjesë të mëdha të vendit, përfshirë kryeqytetin Manila.

Ishujt e largët Batanes dhe Babuyan, ku Ragasa preku tokën, janë shtëpia e rreth 20,000 banorëve – shumë prej të cilëve jetojnë në varfëri.

Në ishullin Calayan, zëdhënësi lokal Herbert Singun tha për agjencinë AFP se pjesë të çatisë së një shkolle u shqyen nga era dhe ranë mbi një qendër evakuimi 30 metra larg, duke shkaktuar një lëndim të lehtë.

“E shihni ato pemë kokosi që lëkunden në distancë?” tha ai gjatë një telefonate me video. “Ishin tetë më parë. Tani kanë mbetur vetëm katër. Kjo tregon sa i fuqishëm është ky tajfun.”

Ishujt ndodhen rreth 740 kilometra në jug të Tajvanit, ku autoritetet evakuuan gati 300 persona nga zona lindore Hualien. Ragasa nuk pritet të godasë drejtpërdrejt Tajvanin, por pritet të sjellë reshje të dendura në bregdetin lindor.

Që nga e hëna në mëngjes, parqet natyrore dhe rrugët malore në jug dhe lindje të Tajvanit janë mbyllur, dhe disa linja tragetesh janë pezulluar.

Ragasa, e njohur lokalisht në Filipine si Nando, është klasifikuar si një super tajfun – ekuivalent i një uragani të kategorisë 5.

Kina dhe Hong Kongu në gatishmëri të lartë

Autoritetet në provincën Guangdong të Kinës kanë paralajmëruar qytetarët të përgatiten për një “katastrofë të madhe” dhe “fatkeqësi në shkallë të gjerë”. Sipas tyre, shiu dhe erërat e forta do të fillojnë që të martën, ndërsa stuhia pritet të godasë të enjten.

Qyteti Shenzhen në jug të Kinës ka në plan të evakuojë 400,000 persona përpara se tajfuni të mbërrijë. Në rrethin Bao’an të qytetit, një punonjës supermarketi tha për AFP se buka ishte shitur që në mesditë të së hënës. “Nuk është zakonisht kështu,” tha ai.

Edhe Hong Kongu ka hyrë në gatishmëri. Autoritetet njoftuan se moti do të “përkeqësohet ndjeshëm” të martën, ndërsa Ministria e Arsimit po shqyrton mundësinë e mbylljes së shkollave.

Kompania ajrore Cathay Pacific ka njoftuar anulimin e 500 fluturimeve që nisen nga qyteti nga ora 18:00 me orën lokale të nesërme. Edhe Hong Kong Airlines ka pezulluar të gjitha fluturimet që nisen nga Hong Kongu.

Stuhia vjen në një kohë kur Filipinet ende po përballen me pasojat e përmbytjeve të mëdha të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm të muajve të fundit, për shkak të një musoni të pazakontë.

Të dielën, dhjetëra mijëra qytetarë protestuan në mbarë vendin kundër korrupsionit qeveritar, që sipas tyre është përgjegjës për mungesën e investimeve në infrastrukturën e kontrollit të përmbytjeve./BBC