Dhjetëra mijëra protestues në Itali për Gazën, përleshje të dhunshme në Milano, 60 policë të plagosur
Dhjetëra mijëra qytetarë dolën sot në rrugët e Italisë në një grevë dhe manifestim të përgjithshëm të thirrur nga sindikatat në mbështetje të popullit të Gazës.
Situata u tensionua rëndë në Milano, ku në Stacionin Qendror protestuesit me keffiye dhe flamuj palestinezë u përleshën me policinë, duke thyer dritaren kryesore dhe duke përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës. Më shumë se një duzinë protestuesish u arrestuan, ndërsa rreth 60 efektivë u plagosën, 23 prej të cilëve u dërguan në spital. Tensione shpërthyen edhe pranë konsullatës amerikane, ku u dogj një flamur amerikan.
Në Romë, numri i pjesëmarrësve u vlerësua mbi 30 mijë, ndërsa në portet e Xhenovës, Livornos dhe Margheras aktiviteti u ndërpre përkohësisht. Në Bolonjë, një grup protestuesish bllokoi autostradën A14 duke përdorur bomba tymi dhe flamuj, ndërsa trafiku u ndërpre gjithashtu në autostradën Firence-Piza-Livorno.
Edhe në Rimini qindra qytetarë marshuan nga Harku i Augustit drejt stacionit të trenit, duke bllokuar trafikun për disa orë, megjithëse pa ndërprerje të rendit publik. Autoritetet italiane po monitorojnë situatën dhe paralajmërojnë për masa të rrepta në rast të dhunës së mëtejshme.