VIDEO/ Pastrimi i parave në ndërtim, Çollaku: Veliaj dhe Rama kanë firma të përbashkëta
Gazetari Basir Çollaku, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, duke diskutuar për luftën e ftohtë Rama-Veliaj, është shprehur se, të dy kanë hedhur firma të shumta në paligjshmëri të mëdha në Tiranë.
Sipas Çollakut vetëm ndërtimi në Tiranë ku janë pastruar miliarda euro, i ekspozon ata në maksimum.
‘Unë nuk besoj se Veliaj, në këtë fazë negociatash që ai ka, edhe për punët e paligjshme që ka bërë me Edi Ramën, edhe për miliarda euro që janë pastruar në Tiranë, ku Rama e Veliaj kanë firma të përbashkëta, është gati t’i ekspozojë ato. Për më tepër, edhe vëllai, bashkëshortja dhe vjehrra e Veliajt janë nën hetim dhe mund të përfundojnë duke e implikuar drejtpërdrejt,’ u shpreh Çollaku.
Sipas tij, Veliaj po përdor këtë informacion si mjet presioni për të arritur një dakordësi me Ramën.
‘Veliaj ka guxim dhe informacion për të ndarë paligjshmëritë e Ramës dhe të tijat, por po e shtyn deri në ekstrem për të arritur një marrëveshje të mundshme. Ai ushtron presione, por nuk është ende i gatshëm të bëjë hapin,’ shtoi gazetari Basir Çollaku.
Çollaku komentoi edhe për situatën zgjedhore në Tiranë, duke theksuar se kandidatura e Ogerta Manastirliut është e konfirmuar nga Rama dhe se nuk pritet një fushatë e shpejtë zgjedhore:
‘Manastirliu si kandidate e lancuar e Ramës e ka marrë mandatin. Nuk ka një datë të afërt për të zhvilluar aktivitet elektoral. Të gjitha gjërat janë në tavolinë, por ata akoma po luajnë,’ - tha gazetari Basir Çollaku ndër të tjera në SYRI TV.