Takimi Dumani-Lamallari/ Bardhi: SPAK nuk mund të kthehet në mekanizëm propagande të Qeverisë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas takimit të sotëm mes drejtuesit të SPAK, Altin Dumani dhe Ministrit të Drejtësisë, Besfor Lamallari. Në një deklaratë publike, Bardhi theksoi se marrëdhëniet e SPAK me ekzekutivin duhet të udhëhiqen vetëm nga ligji dhe jo të përdoren për propagandë.

Sipas tij, nuk ka asnjë bazë ligjore që drejtuesi i SPAK të diskutojë prioritetet e qeverisë apo programin qeverisës.

Kreu i grupit parlamentar të PD theksoi se SPAK nuk është institucion në varësi të ekzekutivit dhe nuk duhet të krijohet perceptimi i kundërt në publik.

Reagimi i Gazment Bardhit:

Marrëdhënia e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme SPAK me segmente të Ekzekutivit, përfshirë Ministrin e Drejtësisë, duhet të udhëhiqet vetëm nga ligji. Marrëdhënia të tilla institucionale nuk duhet të ndodhin për nevoja propagande të Ekzekutivit, sepse SPAK nuk mund të jetë mekanizëm propagande i Qeverisë, por institucioni kyç që lufton korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizuar.

Askund, por askund nuk parashikohet se me drejtuesin e SPAK ndahen prioritetet e Qeverisë dhe aq më pak që ky i fundit dëgjon prioritetet e programit të Qeverisë.  Ç'lidhje ka SPAK me prioritetet e Qeverisë së korruptuar të Edi Ramës, kur në fakt prioritet i saj duhet të jetë lufta ndaj korrupsionit qeveritar?

SPAK nuk është institucion nën varësinë e ekzekutivit dhe nuk duhet të sillet në publik si i tillë, sepse pavarësia e sistemit gjyqësor duhet edhe të duket që ekziston. Kjo pozë në zyrën e Ministrit të Drejtësisë dhe njoftimi i Ministrit të Drejtësisë që ka ndarë prioritetet e programit qeverisës, është një akt propagande i pandodhur kurrë më parë.