Francesco Acerbi: Nuk kam refuzuar Italinë, por Spalletti-n

Mbrojtësi i Interit, Francesco Acerbi, ka folur me sinqeritet në emisionin Verissimo në Canale 5, ku rrëfeu jo vetëm për futbollin, por edhe për periudhat e vështira të jetës së tij.

Duke iu rikthyer çështjes së shumëpërfolur me ish-trajnerin Luciano Spalletti, Acerbi theksoi: “Nuk kam refuzuar kurrë kombëtaren. Thjesht nuk pranova thirrjen për atë ndeshje ndaj Norvegjisë. Pas një viti pa më ftuar dhe pas atyre fjalëve të tij për moshën time, nuk më dukej e drejtë të thosha ‘po’. Por nëse Gattuso nuk do të më thërrasë, nuk do të jetë problem. Ai paguhet për të zgjedhur, unë nuk bëj polemika.”

Sa u përket komenteve mbi moshën, lojtari u përgjigj prerë: “Më quajnë i vjetër? S’ka problem. Mund të jem për të tjerët, por jo për veten. Nëse do të dëgjoja çfarë thonë të tjerët, do të kisha hequr dorë në moshën 21-vjeçare.”

Acerbi foli gjithashtu për humbjen e babait: “Është një peng i madh që nuk i thashë kurrë ‘të dua’. E dija që kishte probleme me zemrën, por nuk je kurrë gati për atë moment.”

Ai zbuloi se në fillim të karrierës u përball me varësi nga alkooli dhe me një tumor në testikul në vitin 2013. “Nuk isha alkoolist, por futbolli ishte në plan të dytë. Pas rikthimit nga pushimet, papritur vendosa të lija alkoolin. Brenda tri javësh nuk e preka më dhe fitova sërish dëshirën për t’u stërvitur.”

Një rrëfim i fortë që tregon forcën dhe rikthimin e një kampioni.