U preken banesat/ Një përfaqësi e banorëve ‘kërcënojnë’ Sakon: Do kërkojmë pezullimin e projektit në gjykatë !
Shpronësimet e 74 familjeve durrsake, banesat dhe bizneset e të cilave preken nga projekti TID Durrës, janë kthyer javët e fundit në kryefjalë të debatit publik në qytetin bregdetar.
Projekti synon “Restaurimin dhe rikualifikimin urban të zonës” për të nxjerrë në pah vlerat historike dhe arkeologjike të saj, por pjesë e prishjeve mund të jetë edhe një mur i periudhës turke, i vitit 1502.
Nga muri, në të cilin mbështetet godina 2-katëshe, ku banojnë 4 familje, është hequr tabela që dokumentonte vlerat e tij historike dhe faktin se pse ai ruhej në formën origjinale të tij
Një nga familjarët që banojnë aty shtron pyetjen se pse do të shembet edhe kjo dëshmi e zhvillimit urban të qytetit, të 5 shekujve më parë.
“Muri rrethues i katit të parë është mur i periudhës otomane, i shekullit XIV, madje ka qenë dhe një tabelë vënë nga Arkeologjiku, për ta ruajtur si vlerë, si monument. Sipër tij jemi ne, 4 familje që banojmë aty. Jemi munduar që ta mirëmbajmë si godinë. Kemi dashur ta suvatojmë pjesën e poshtme, që është muri i vjetër, nuk na ka lënë komuna dhe ata të arkeologjikes, sepse duhet të ruhet identiteti i vjetër. Tani vjen puna që do të prishet si godinë komplet, edhe kati i parë, edhe kati i dytë.”
Paraditen e sotme, një përfaqësi e 74 familjeve që shpronësohen u takua me kryebashkiaken Emiriana Sako, për të parashtruar kundërshtitë e tyre që lidhen me mos shembjen e godinave dhe vlerën qesharake të dëmshpërblimit. Banorët janë të vendosur të kërkojnë në gjykatë pezullimin e projektit.
Si pjesë e qendrës historike, bulevardi “Epidamn” do t’i nënshtrohet një projekti rijetëzimi, të njohur si TID Durrës, i cili po realizohet përmes një marrëveshje bashkëpunimi mes Fondit Shqiptaro- Amerikan të Zhvillimit, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Durrësit.