Filipine dhe Tajvan në gatishmëri për supertajfunin Ragasa, pritet të godasë Kinën
Autoritetet në Filipine dhe Tajvan kanë shpallur gatishmëri të lartë për Supertajfunin Ragasa (ose Nando), që po lëviz me shpejtësi drejt Kinës kontinentale, duke sjellë erëra të fuqishme dhe shira të rrëmbyeshëm.
Sipas shërbimit kombëtar meteorologjik të Filipineve, stuhia e fuqishme pritet të godasë ishujt Batanes në orët në vijim, me erëra që arrijnë deri në 250 km/orë. Autoritetet në Filipine kanë urdhëruar evakuimin e zonave të cenueshme në pjesën veriore të vendit, ndërsa shkollat dhe shërbimet publike do të mbeten të mbyllura në Manila dhe 29 provinca të tjera. Sekretari i Brendshëm, Johnwick Remulia, bëri thirrje për mobilizim të menjëhershëm të forcave lokale për të zhvendosur familjet nga zonat e rrezikuara, duke paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.
Në Tajvan, autoritetet gjithashtu kanë shpallur alarm të lartë dhe pritet evakuimi i rreth 300 banorëve nga Qarku Hualien në pjesën lindore të ishullit. Stuhia pritet të shkaktojë dëme të konsiderueshme në infrastrukturë dhe mund të sjellë përmbytje të mëdha.
Ekspertët po monitorojnë nga afër zhvillimin e situatës dhe paralajmërojnë se Supertajfuni Ragasa mund të shkaktojë shkatërrime të mëdha në rajonin e Azisë Lindore, ndërsa ende nuk është e qartë se sa do të jetë ndikimi në Kinën kontinentale.