Bordin pas humbjes: Tirana nuk ishte agresive, duhet të ndryshojmë mentalitetin
Trajneri i Tiranës, Roberto Bordin, foli hapur pas humbjes 2-0 ndaj kampionëve të Egnatias, duke pranuar se skuadra e tij nuk arriti të tregonte qasjen e duhur në fushë.
“Ndeshjet analizohen për të nxjerrë të mirat dhe të këqijat. Pas fillimit, nisëm të vuanim shumë. Nuk ishim aq agresivë sa kishim punuar dhe kjo na penalizoi. Kundërshtari luajti mirë nga poshtë dhe shfrytëzoi rrotacionet. Patëm disa raste të pastra për gol, por tranzicioni na ndëshkoi”, u shpreh tekniku italian.
Bordin pranoi se skuadra nuk po arrin të japë maksimumin: “Kemi bërë shumë pak. Është një sëmundje që na po ndjek dhe duhet ta kapërcejmë sa më shpejt. Pa i hequr meritat Egnatias, që është skuadra kampione, ne duhej të kishim tjetër qasje. Unë i pari dhe lojtarët duhet të punojmë më shumë për të ndryshuar situatën. Vetëm me punë dhe pozitivitet do të ecim përpara.”
Trajneri shpjegoi edhe aktivizimin e kapitenit Dembele: “Marrë të gjitha sinjalet që ishte gati edhe pse vinte nga një dëmtim. Kemi mungesa të rëndësishme, sidomos në mbrojtje. Një skuadër duhet të përshtatet me disa module, jo vetëm një. Të gjithë kemi përgjegjësi për këtë situatë.”
Duke mbyllur, Bordin theksoi se skuadra duhet të përmirësohet çdo ditë: “Ndeshja mund të kishte marrë tjetër rrjedhë nëse nuk do të humbnim ato raste. Kur ishim me 10 lojtarë, vrapuam më shumë se me 11. Duhet të reagojmë dhe të tregojmë se dimë pse jemi këtu. Humbjet vijnë, por rëndësi ka të gjejmë zgjidhje.”