Baza ajrore rumune, çelësi i stabilitetit të Ukrainës sipas ish-komandantit të NATO-s

Gjenerali në pension i Forcave Ajrore Amerikane dhe ish-komandanti i lartë i NATO-s, Philip Breedlove, ka theksuar rëndësinë strategjike të bazës ajrore Mihail Kogălniceanu në Rumani për të ardhmen e Ukrainës. Sipas tij, logjistika e çdo misioni paqeruajtës nuk ndodh në vijën e frontit, por qindra kilometra larg, në territorin rumun.

Në një intervistë për Kyiv Post, Breedlove tha se bazat ajrore të Rumanisë janë të domosdoshme për çdo forcë ndërkombëtare që synon stabilizimin e Ukrainës pas përfundimit të konfliktit. Ai e ka quajtur bazën ajrore ‘Ramstein i Lindjes’, duke e krahasuar me bazën amerikane në Gjermani, qendra e operacioneve luftarake të NATO-s.

 ‘Baza MK, vetëm për shkak të vendndodhjes së saj, është jashtëzakonisht e rëndësishme për gjithçka që bëjmë në atë pjesë të botës dhe është e pozicionuar në mënyrë unike për të qenë e rëndësishme për çdo operacion në Ukrainë’, tha Breedlove.

Breedlove shtoi se vendet lindore të NATO-s, përfshirë Rumaninë dhe Poloninë, tregojnë kujdes të madh për dërgimin e forcave jashtë vendit të tyre, duke pasur parasysh rrezikun e një pushtimi rus.

 ‘Rumania, ashtu si Polonia dhe vende të tjera, është aq e shqetësuar për një pushtim rus saqë po ngadalëson dërgimin e forcave jashtë vendit të saj sepse ka frikë se do t’u duhet ta mbrojnë vendin e tyre,’ shpjegoi ai.

Gjenerali gjithashtu paralajmëroi se Perëndimi nuk duhet të lejojë që frika nga përshkallëzimi i konfliktit të frenojë veprimet e nevojshme për paqen.

‘Putini po e përshkallëzon këtë konflikt. Ai do që ne të kemi frikë nga përshkallëzimi… Në fund të fundit, ne duhet të ndërmarrim veprime që besojmë se janë të rëndësishme për paqen’, shton Breedlove.

Bisedimet për formimin e një force shumëkombëshe për mbështetje dhe logjistikë në Ukrainë vazhdojnë, ndërkohë që roli i Rumanisë mund të jetë kyç për të ardhmen e paqes në rajon.