Flick provokon Realin: Prania në ‘gala’-në e Topit të Artë është çështje respekti
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, foli para medieve në prag të sfidës ndaj Getafes, duke prekur disa tema të nxehta. Përveç analizës për ekipin dhe lojën, tekniku gjerman hodhi edhe një “shigjetë” në drejtim të Real Madridit lidhur me ceremoninë e “Topit të Artë”.
“Për mua është shumë e rëndësishme të jemi në ‘gala’. Kushdo që fiton çmimin, e meriton. Prania jonë aty tregon respekt për futbollin dhe për ata që kanë arritur majat. Është një moment që duhet shijuar dhe vlerësuar”, tha Flick, duke nënkuptuar se mungesa e një klubi në këtë event shihet si mungesë respekti.
Në lidhje me talentin e madh Lamine Yamal, trajneri ‘blaugrana’ u shpreh optimist: “Jam i bindur se një ditë do ta fitojë ‘Topin e Artë’. Ai punon shumë çdo ditë dhe përparon në mënyrë të jashtëzakonshme”.
Flick foli edhe për Marcus Rashford, i cili po kalon moment pozitiv: “Dy golat e fundit i kanë dhënë besim. Ai ka cilësi të mëdha, por duhet të punojë fort. Te Barça stili është gjithmonë me intensitet të lartë dhe progresi është i përditshëm”.
Lidhur me gjendjen e Alejandro Balde-së dhe Yamali-t, Flick tregoi se të dy po ndjekin programet e tyre për rikuperim dhe zhvillim. Për rikthimin në “Camp Nou”, ai u tregua i rezervuar: “Kjo nuk varet nga unë. Unë duhet të fokusohem te ekipi dhe te performanca, hap pas hapi”.
Me këto deklarata, trajneri gjerman jo vetëm ngriti moralin e skuadrës, por edhe ndezi rivalitetin e përjetshëm me Real Madridin.