SYRI TV/ Fermerët e fshatit Çeprat drejt falimentimit, shkak mungesa e tregut dhe subvencionet

Fermerët e fshatit Çeprat në Vlorë po shkojnë drejt falimentimit. Ata thonë se nuk po arrijnë të sigurojnë të ardhura për shkak të mungesës së tregut duke bërë që prodhimet e tyre bujqësore të kalben pa u shitur.

Ndërsa subvencionet, thonë ata, i përfitojnë personat që kanë lidhje politike dhe jo ata që kanë vërtetë nevojë. Ata paralajmërojnë se do të braktisin fshatin dhe të ikin një e nga një pasi me zor po mbijetojnë.

SYRI TV

Ndodhemi në fshatin Çeprat, pjesë e njësisë administrative Shushicë. Banorët e këtij fshati që merren kryesisht me bujqësinë shprehen se janë drejt falimentimit pasi nuk kanë asnjë ndihmë nga pushteti. Prodhimet e tyre mbeten pa shitur.

Mungesa e mbështetjes po i detyron edhe ata të paktë fermerë që kanë mbetur që të braktisin bujqësinë e të emigrojnë jashtë vendit. Banorët ndihen të braktisur nga shteti duke theksuar se nuk arrijnë të nxjerrin fitime për shkak të mungesës së tregut. Si pasojë, prodhimet e tyre bujqësore po kalben pa mundur të shiten.

Shteti jo vetëm që nuk i mbështet fermerët me subvencione, thonë ata, por përkundrazi i ndëshkon me gjoba.

Ata thonë se me zor mbijetojnë, ndërsa paralajmërojnë se do të emigrojnë si shumica e të rinjve të fshatit.

Situata bëhet akoma më prekëse, kur e moshuara në sfidë me problemet shëndetësore, shprehet se pensioni nuk i del dhe detyrohet që të nxjerrë të ardhura shtesë nga bujqësia për të mbijetuar.

Fshati Çeprat në Vlorë, i njohur për mikpritjen, bujarinë dhe traditat e tyre, sot po përballet me braktisjen e banorëve. Mungesa e investimeve dhe mbështetjes nga pushteti po e rrezikon të shndërrohet në një fshat të boshatisur.