Kati i katërt

Me përpjekjen e disa njerëzve të mençur e mendjendritur, Banka Botërore dikur vendosi të financojë ndërtimin e një spitali modern me katër kate. Ishte menduar si një ndërhyrje madhore në sistemin shëndetësor shqiptar. Jo thjesht një godinë, por një qendër e pajisur me aparatura që do ta afronin mjekësinë tonë me standardet europiane, me aparatura që lexojnë krizat para se të bëhen tragjedi. 

Projekti përmbante salla operacionesh, diagnostikë të avancuar, laboratorë intensivë, gjithçka e përqendruar kryesisht në katin e katërt, zemra teknike e shpëtimit. Katër kate me funksione të qarta. Katër kate me mision për të shpëtuar jetë.

Mirëpo ashtu, hidhur e prerë siç i pëlqen sistemit erdhi urdhëri nga atje lart: “Ndërtesa do bëhet me 3 kate”. Vendimi nuk u mor nga inxhinierët, as nga mjekët, mor po as nga ekspertët. Erdhi nga pushteti. Një kat më pak në letër, amputim në jetën reale, sepse pritej gjymtyra teknike e spitalit. 

Sepse mu bash në katin e katërt do të vendoseshin aparaturat që bëjnë diferencën mes një hoteli dhe një spitali, rezonanca magnetike, aparatet e reanimacionit, mjetet për monitorimin intensiv, teknologjitë që i japin kohë mjekut të reagojë dhe pacientit të marrë frymë. 

Në atë kat të katërt të shembur pa u ndërtuar do të vendoseshin aparaturat që bëjnë diferencën mes njeriut dhe hijes, ato që dëgjojnë rrahjen e fundit të zemrës përpara se të shuhet, që shohin tumorin në thellësi përpara se të marrë peng trupin, që rikthejnë frymën e ngrirë të një fëmije.

Dhe në një akt të tmerrshëm ashtu u bë. Shqiptarëve po u shërbehet një godinë me tre kate, e re, e pastër, me çarçafë të bardhë dhe korridore të gjera. Por që nuk shëron e as shpëton jetë. 

E njëjta filozofi, shkolla pa laboratorë, shkencë pa kërkim shkencor, shtet pa drejtësi, rrugë pa mirëmbajtje, ekonomi pa prodhim, fasadë pa brendi. Një arkitekturë e imazhit, jo e substancës. 

Por spitali nuk është hotel. Qytetari nuk shkon aty për të bërë foto, reels, publicitet, por për të fituar betejën me sëmundjen. Pushteti që zgjedh të heqë “katin e katërt” ka bërë një zgjedhje politike kriminale, të sakrifikojë shëndetin e njerëzve për propagandën e korrupsionin.

Kush dha urdhrin që kati i katërt të hiqej? Cili ishte justifikimi? Çfarë ndodhi me fondet e parashikuara për aparaturat? Marrim frymë e bëjmë sikur jetojmë nën renë e zezë të këtyre pyetjeve. Sepse kati i katërt nuk është thjesht një dysheme e tavan i munguar, por metafora e një sistemi që heq jetën nga prioritetet.

E mësova këtë mynxyrë nga disa njerëz, që kishin punuar tok për këtë projekt madhor, duke arritur të bindin Bankën Botërore të financonte një shans të madh për shqiptarët.

“Rrno për me tregue”, thotë At Zef Pllumi e unë mbetem “ushtare” e bindur e këtij urdhëri. 
Por ende s’di ta shteroj se si u katandisëm komb pa katin e katërt, që rri e pret në korridoret e fasadat e propagandës si t’ja ketë dhënë frymën pushteti e jo Zoti.