Gjirokastër, fronëzohet Mitropoliti i ri Nathanaili në katedralen 'Ngjallja e Krishtit'

Mëngjesin e sotëm, këmbanat e kishës katedrale “Ngjallja e Krishtit” në Gjirokastër kumbuan për fronëzimin e Mitropolitit të ri, Hirësisë së tij Nathanaili.

Ceremonia solemne u zhvillua në prani të një numri të madh besimtarësh, si dhe përfaqësuesish të politikës dhe institucioneve shtetërore.

Në këtë ngjarje të rëndësishme për Kishën Orthodokse Autoqefale Shqiptare mori pjesë edhe Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Joan Pelushi.

Në fjalën e tij, Kryepeshkopi vlerësoi devotshmërinë dhe kontributin shumëvjeçar të Mitropolitit Nathanaili në shërbim të kishës dhe komunitetit, duke e cilësuar atë si një udhëheqës shpirtëror që do të forcojë edhe më tej lidhjet e besimit me jetën e përditshme të qytetarëve.

Ngjarja u shoqërua me rite liturgjike dhe urime të shumta për misionin e ri të Hirësisë së tij Nathanaili.