Putini vazhdon të testojë Europën/ Kaos në aeroportet e mëdha pas sulmit kibernetik

Nga Dan Woodland, DAILY MAIL

Pushuesit britanikë po përballen me kaos udhëtimi në aeroportin Heathrow pas një sulmi kibernetik që ka prishur sistemet e ‘check-in’ dhe ‘boarding’ në disa aeroporte kryesore evropiane.

Pasagjerët në aeroportin më të madh të Mbretërisë së Bashkuar po përjetojnë radhë tre-orëshe këtë mëngjes, pasi hakerat sulmuan Collins Aerospace, e cila ofron shërbime për shumë linja ajrore globalisht, të premten në mbrëmje.

Kompania po “përjeton një problem teknik që mund të shkaktojë vonesa për pasagjerët që nisen”. Megjithatë, sulmi “është i kufizuar vetëm te check-in elektronik për klientët dhe dorëzimi i bagazheve dhe mund të zbutet me operacione manuale të check-in,” shtoi kompania.

Heathrow ka paralajmëruar për vonesa dhe ka këshilluar klientët të kontrollojnë statusin e fluturimeve me linjën e tyre ajrore para se të udhëtojnë, ndërsa disa nisje fluturimesh janë gjithashtu anuluar.

Brukseli dhe Berlini gjithashtu janë prekur nga sulmi kibernetik, ku Brukseli konfirmoi se 10 fluturime janë anuluar dhe 17 të tjera po përjetojnë vonesa më shumë se një orë.

Aktualisht nuk dihet kush qëndron pas incidentit, megjithatë hakerët rusë kanë kryer një sërë sulmesh shkatërruese ndaj organizatave si në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu edhe në SHBA muajt e fundit.

Marks & Spencer, Harrods dhe Co-op janë të gjitha objekt i sulmeve nga grupi i krimit kibernetik i lidhur me Rusinë, DragonForce, më herët këtë vit, ndërsa besohet se Moska qëndron pas një sulmi “pa precedent” ndaj Departamentit të Drejtësisë së SHBA.

Koha e sulmit përkon gjithashtu me ndërhyrjet e fundit ruse në territorin e NATO-s, më i fundit vetëm pak orë më parë, kur tre avionë luftarakë hynë në Estoninë fqinje në një përpjekje “të pakujdesshme” dhe “të guximshme” për të intimiduar shtetin baltik.

Pasagjerët të pakënaqur kanë shprehur frustrimin e tyre për këtë problem, me një person që shkroi në X: “Vonesa në LHR T4, shumë acaruese. Marrin £6 për dorëzim bagazhesh, ndoshta duhet të përmirësonin shërbimet. Nuk mund të udhëtosh qetësisht në MB”.

Një grua tjetër, e cila mbërriti këtë mëngjes në Aeroportin Heathrow për një fluturim drejt Tajlandës, u detyrua të presë tre orë për të dorëzuar bagazhin e saj.

“Radhët ishin të tmerrshme. Kishte vetëm staf minimal. Nga gjashtë sportele, ndoshta dy persona ishin aty,” i tha ajo Sky News.

“Në radhë për tre orë dhe lëviznim ngadalë me këtë staf minimal në sportele, dhe askush nuk na thoshte çfarë po ndodhte.”

Një person i tretë i tha Daily Mail se kishte mbetur për “orë të tëra” në Bruksel pasi kishte nisur nga Afrika në orën 16:00 të premten. “Jemi te ndryshimi i 7-të i portës, pa asnjë njoftim, nuk na ofruan as pije. Shumë keq,” shtoi ai.

Një përfaqësues i Heathrow tha: “Collins Aerospace, e cila ofron sistemet e check-in dhe boarding për disa linja ajrore në shumë aeroporte globalisht, po përjeton një problem teknik që mund të shkaktojë vonesa për pasagjerët që nisen”.

EasyJet tha se nuk priste që problemi të ndikonte në orarin e fluturimeve për pjesën tjetër të së shtunës.

“Jemi të vetëdijshëm për një problem të sistemit IT që prek një numër të vogël aeroportesh. Ndërkohë që aktualisht po operojmë normalisht dhe nuk presim që kjo të ndikojë në programin tonë të fluturimeve për pjesën tjetër të ditës, vazhdojmë të monitorojmë situatën nga afër,” tha një përfaqësues i linjës ajrore të listuar në Londër.

Ndërkohë, Aeroporti i Brukselit tha se sulmi kibernetik nënkupton se “në këtë moment është e mundur vetëm check-in dhe boarding manual”.

“Ofruesi i shërbimit po punon aktivisht për zgjidhjen e problemit dhe për ta rregulluar sa më shpejt,” shtoi ai në një deklaratë.

Një mesazh në Aeroportin e Berlinit Brandenburg shton: “Për shkak të një problemi teknik te një ofrues sistemi që operon në gjithë Europën, kohët e pritjes te check-in janë më të gjata. Po punojmë për një zgjidhje të shpejtë.”

Aeroportet e Frankfurtit dhe Hamburgut nuk janë prekur nga sulmi, tha një përfaqësues. Një zyrtar nga qendra e kontrollit operativ në Aeroportin e Cyrihut gjithashtu tha se nuk ishte prekur.

Kompania mëmë e Collins Aerospace, RTX, tha në një deklaratë: “Jemi të vetëdijshëm për një ndërprerje të lidhur me kibernetikën në softuerin tonë MUSE në disa aeroporte të përzgjedhura”.

“Po punojmë aktivisht për të zgjidhur problemin dhe për të rikthyer funksionalitetin e plotë për klientët tanë sa më shpejt të jetë e mundur. Ndikimi është i kufizuar vetëm te check-in elektronik për klientët dhe dorëzimi i bagazheve dhe mund të zbutet me operacione manuale të check-in”.

Collins Aerospace më parë ka qenë objekt i hakerave të njohur si The Everest Group, të cilët mund të kenë shitur aksesin e tyre te kompjuterët e firmës tek aktorë të tjerë në dark web.

Vetëm këtë javë, Everest pretendoi një viktimë tjetër, duke thënë se kishte hakeruar me sukses BMW-në, e cila operon më shumë se 30 site prodhimi në 15 vende në të gjithë botën.

Vetë Rusia nuk është e panjohur për sulme kibernetike ndaj aeroporteve që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Vetëm dje, Aeroporti Pulkovo në Shën Petersburg, aeroporti i dytë më i madh i Rusisë, tha se faqja e tij e internetit ishte jashtë funksionit pas një sulmi kibernetik.

Një ditë më parë, shërbimet online të kompanisë rajonale siberiane KrasAvia u goditën, dhe linja kombëtare Aeroflot pësoi vonesa dhe anulime në korrik pas një ndërhyrjeje që u pretendua nga një grup hakerash pro-ukrainas.