Kombëtarja e Kosovës më e bashkuar se kurrë, Ademi takohet edhe me Bersant Celinën

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vijuar procesin e unifikimit të kombëtares, duke zhvilluar një takim të rëndësishëm edhe me Bersant Celinën, pas atij me Arbër Zenelin.

Celina ka qenë një nga futbollistët e parë që iu bashkua Kosovës, duke refuzuar Norvegjinë dhe duke veshur fanellën “Dardane” të U-21 që në moshën 16-vjeçare. Vetëm një vit më vonë ai debutoi edhe me Kombëtaren A në miqësoren historike ndaj Haitit, të zhvilluar në Mitrovicë.

Ashtu si Zeneli, edhe Celina kishte pasur mosmarrëveshje vitet e fundit, duke mos u grumbulluar në disa ndeshje. Por ky takim pritet të hapë rrugën për rikthimin e tij në ekip, me gjasë që ai të jetë pjesë e listës së Franco Fodës për ndeshjet e tetorit.

Në një postim publik, Ademi vlerësoi lartë kontributin e mesfushorit:

“Bersanti është djaloshi që pa asnjë hezitim zgjodhi Kosovën me zemër, edhe pse kishte vështirësi në komunikimin në shqip. Për ne ai ka një rol të veçantë në ndërtimin e kësaj kombëtareje dhe kontributi i tij do të vlerësohet gjithmonë. Sot, pas vështirësive me lëndime dhe ndërrime klubesh, është rikthyer fuqishëm duke treguar sërish magjinë e tij në fushë.”

Takimi i Ademit me Celinën shihet si një hap tjetër i madh në drejtim të bashkimit të plotë të kombëtares së Kosovës, duke rikthyer lojtarë që kanë lënë gjurmë dhe që mund të japin ende shumë për fanellën “Dardane”.