‘Fenerbahçja nuk ishte në nivelin tim", presidenti Koç i kthen përgjigje Mourinhos

José Mourinho ka bërë bujë të madhe me deklaratat e tij gjatë konferencës së prezantimit si trajner i Benfica-s, vetëm pak javë pas largimit nga Fenerbahçe. Portugezi u shkarkua nga skuadra turke pas humbjes në “play-off”-in e Champions League pikërisht kundër Benficës, një ndeshje e vendosur nga goli i Kerem Aktürkoğlu, i cili më pas u transferua në klubin nga Stambolli.

“Special One” nuk i kurseu kritikat ndaj ish-ekipit të tij:

“Gabova që shkova te Fenerbahçe. Nuk ishte në nivelin tim as kulturor, as futbollistik. Thjesht nuk ishte në lartësinë time. Dhurova gjithçka deri në ditën e fundit, por të drejtoj Benfica-n do të thotë të rikthehem aty ku më takon, te klubet më të mëdha të botës. Kam bërë një zgjedhje të gabuar. Nuk ndiej keqardhje, por mora një mësim të vlefshëm”, u shpreh Mourinho.

Deklaratat e tij shkaktuan reagime të forta në Turqi. Gazeta ‘Milliyet’ kritikoi hapur portugezin, duke sugjeruar se ai duhet të dëmshpërblejë klubin për një eksperiencë të konsideruar si dështim, teksa theksoi edhe problemet e bashkëpunimit me lojtarët dhe stafin.

Në të njëjtën linjë reagoi edhe presidenti i Fenerbahçes, Ali Koç, i cili u ndal te ndikimi i Mourinhos:

“Largimi i tij ishte i vështirë, sepse ishte si një anëtar i familjes. Por të thuash që ardhja këtu ishte një gabim është një deklaratë që zhvlerëson një trajner të këtij niveli. Në fakt, të gjithë lojtarët tanë që kishin shkëlqyer sezonin me 99 pikë patën rënie në performancë. Mourinho nuk ishte problem i vetëm. Humbja ndaj Benfica-s nuk ishte faji i tij, as i Kerem Aktürkoğlusë që shënoi golin vendimtar”, theksoi Koç.