Tre avionë rusë, MiG-31, shkelin hapësirën ajrore estoneze, Estonia: Provokimet po shtohen

Avionë ushtarakë rusë kanë shkelur hapësirën ajrore të Estonisë. Qeveria e Tallinn-it bëri të ditur se tre avionë MiG-31 kanë fluturuar për 12 minuta, pa pasur asnjë autorizim.

Ministri i Mbrojtjes i Estonisë e ka cilësuar incidentin si “një brutalitet i paprecedentë”, ndërsa qeveria ka paralajmëruar dërgimin e një note proteste tek diplomati më i lartë rus në Estoni. Ky është rasti i tretë brenda një kohe të shkurtër që avionë ose dronë rusë shkelin hapësirën ajrore të NATO-s, pas incidenteve të fundit në Poloni dhe Rumani.

Ministri i Jashtëm, Margus Tsahkna, tha se Rusia e ka shkelur hapësirën ajrore estoneze katër herë vetëm këtë vit, “çka është e papranueshme në vetvete, por shkelja e sotme, gjatë së cilës tre avionë luftarakë hynë në hapësirën tonë ajrore, është një sfidë e pa precedent”.

“Është e domosdoshme të përgjigjemi ndaj shtimit të provokimeve kufitare dhe agresivitetit të Rusisë duke rritur me shpejtësi presionin politik dhe ekonomik”, shtoi ai.

Sipas Politico, kanë qenë avionët F-35 italianë, pjesë e forcave të NATO-s, që kanë zmbrapsur shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga tre avionë luftarakë rusë. MiG-31-të, të njohur si avionë të rëndë interceptues në gjendje të mbartin raketën hipersonike ruse Kinzhal, kanë hyrë rreth pesë milje detare brenda territorit estonez dhe sipas raportimeve ishin drejtuar në drejtim të kryeqytetit Tallinn.

Agjencia e lajmeve estone Postimees, e cituar nga The Guardian, raportoi se avionët rusë nuk kishin paraqitur plane fluturimi dhe kishin radion e fikur në momentin e incidentit. Ndërkohë, e përditshmja estone Õhtuleht shkroi se ngjarja ndodhi pranë ishullit Vaindloo dhe përbën shkeljen e katërt të hapësirës ajrore estone këtë vit.

Estonia është vendi i tretë i NATO-s që raporton një shkelje të hapësirës ajrore nga Rusia në javët e fundit: të dielën, Rumania deklaroi se një dron rus kishte hyrë në hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi mbi Ukrainën fqinje.