Sulmi me tritol ndaj deputetit Xhelal Mziu/ Bardhi: Akt terrorist! Institucionet përgjegjëse të zbardhin ngjarjen
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas sulmit me tritol në banesën e deputetit demokrat, Xhelal Mziu, në Kamëz.
Në postimin e tij në Facebook, Bardhi ka theksuar se akte të tilla terroriste të goditjes me eksploziv ndaj një deputeti është i paimagjinueshëm në një shoqëri demokratike.
‘Deri në këtë moment Policia e Shtetit, përveç një njoftimi pa përmbajtje, nuk rezulton të ketë përcjell asnjë informacion mbi veprimet për zbulimin e shkaqeve të ngjarjes dhe autorëve të mundshëm të saj’, shkruan Bardhi.
Postimi i plotë:
Dënoj me forcë aktin terrorist të goditjes me eksploziv ndaj kolegut Xhelal Mziu. Akte të tilla kriminale ndaj një deputeti janë të paimagjinueshme në një shoqëri demokratike dhe do të duhet të kishin alarmuar organet përgjegjëse të sigurisë. Deri në këtë moment Policia e Shtetit, përveç një njoftimi pa përmbajtje, nuk rezulton të ketë përcjell asnjë informacion mbi veprimet për zbulimin e shkaqeve të ngjarjes dhe autorëve të mundshëm të saj.
Secili prej nesh, kolegëve në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, është pranë deputetit Mziu dhe familjes së tij, dhe apelojmë në mënyrë urgjente institucionet përgjegjëse të zbardhin menjëherë ngjarjen dhe të vendosin përpara përgjegjësisë autorët e këtij krimi të shëmtuar. Çdo vonesë e pajustifikuar do të ishte për ne e papranueshme.