'Rama shkel rregullat e Kuvendit'/ Korreshi: Masat disiplinore ndaj opozitës, abuzive! Sekretariati i Etikës, pacavure e qeverisë

Deputeti i Partisë Demokratike për Lushnjën, Saimir Korreshi, denoncoi sot në dalje nga sekretariati i etikës shkeljet flagrante të procedurave në Kuvend. Ai reagoi pas vendimit për pezullimin me 10 ditë të kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, dhe deputetit Fidel Kreka, si pasojë e ngjarjeve në seancën e djeshme parlamentare.

“Ju e patët se çfarë ndodhi në seancën parlamentare. Sekretariati i etikës filloi direkt me masë disiplinore, ende pa u konsultuar mirë,” tha Korreshi, duke akuzuar qeverinë për sjellje antikushtetuese dhe presion mbi opozitën.

Ai shtoi se Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, lejoi shkelje të hapura të rregullores dhe ndikimin e kryeministrit në punën e Kuvendit. “Edhe pse Shqipëria de facto duhet të ketë ndarje pushtetesh, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor janë shkrirë të gjitha në duart e kryeministrit,” tha deputeti.

Korreshi theksoi se asnjëherë në historinë e legjislaturave shqiptare nuk kishte ndodhur që një ministër të flasë për programin e qeverisë, ende pa u formuar qeveria dhe pa u betuar kryeministri. Ai akuzoi kryeministrin dhe kryetarin e grupit të PS-së për provokime dhe përpjekje për të penguar opozitën që të shprehet mbi programin qeveritar.

'Jam dëshmitari i një pacavureje që bëhet në sekretariatin e etikës.,” përfundoi Korreshi, duke treguar një qeverisje që sillet jashtë çdo standardi demokratik.

Korreshi:

Ju e patët se çfarë ndodhi në seancën parlamentare, ende pa u konsultuar mirë sekretariati i etikës filloi direkt me masë disiplinore. Ju e mbani mend sesi mandatin e kaluar jemi mbledhur si asnjëherë në 36 vjet parlamentarizëm. Filluam përsëri me këtë lloj gjuhe.

Sot duhet të ishte tek sekretariati i etikës kryetari i Kuvendit, zoti Niko Peleshi, i cili edhe pse ne e dimë që tashmë Shqipëria de facto janë shtrirë ndarjet e pushtetit në duart e kryeministrit, prapë nuk ka më pushtet legjislativ, ekzekutiv apo gjyqësor, por janë shkrirë të tera në një. E la të dirigjonte pa pikë turpi.

Ju e patët shumë mirë që as Kushtetuta, as rregullorja e Kuvendit nuk e lejojnë që një ministër të flasë, po e quaj ministër Diellën, po e le me prizën vënë, nuk po ja heqim prizen momentalisht, hall është kur të ikin dritat, se këtu në Shqipëri akoma luftojmë për drita 24 orë.
Asnjëherë në gjithë këto vite, në gjithë këto mandate legjislative, nuk ka bërë vaki ndonjëherë që të flasë ndonjë ministër për programin e qeverisë ende pa u betuar kryeministri dhe pa u formuar qeveria.

Ju e patët që Niko Peleshi, bashkë me kreun e grupit parlamentar, zotin Taulant Balla, dhe shoqja Diella, në fjalët e saj ka provokuar opozitën, por shoku Peleshi gjatë ndërprerjes 5-minutëshe deklaroi se do t’i jepte, sapo të niste seanca, fjalën kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, zotit Gazment Bardhi.
Gjërën që nuk e mbajti, por si duket me shkelje syri, me vendimet e tyre bënë atë që mos t’i japin të drejtën opozitës për t’u shprehur mbi programin qeveritar.

Ju e patët që ai që në fillim të fjalës së tij ka qenë provokativ, siç ka qenë dhe antikushtetuese, dhe vënia në prizë e Diellës në momentin e kryeministrit.

S’ka bërë gjë tjetër zoti Gazment Bardhi, veçse i ka kujtuar rregulloren shokut Niko, por shoku Niko as rregulloren s’e ka marrë me vete.
Ne kemi kërkuar sot në komision pavlefshmërinë e seancës, kemi kërkuar gjithashtu që të vihen në dispozicion të rojeve provokimet që janë bërë si nga kryetari, po ashtu edhe nga kryeministri.

Jam dëshmitari i një pacavureje që bëhet në sekretariatin e etikës.