Kreu i ILD Metani ka frikë t'i përmend emrin Ramës: Sulmet ndaj drejtësisë të papranueshme, antikushtetuese

Kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD), Artur Metani, ka reaguar pas sulmeve publike ndaj gjyqtarëve dhe sistemit gjyqësor nga disa figura politike, duke e konsideruar këtë si një presion antikushtetues dhe të papranueshëm.

Në prononcimin e tij megjithëse dënon sulmet, ai nuk ka mundur që ti përmendë emrin kreut te qeverisë Edi Rama si një nga iniciatorët dhe sulmuesit më të ashpër të gjyqtarëve dhe prokurorëve që marrin vendime bazuar në ligj por që nuk i pëlqejnë “Liderit” global.

Metani theksoi se për magjistratët është e domosdoshme të ruajnë vetëpërmbajtjen edhe kur sulmet janë të padrejta, pasi kjo nuk duhet të ngatërrohet me dobësinë, por është respekt për lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e gjyqësorit.

“U bë kohë që sistemi gjyqësor është nën një trysni, për mua antikushtetuese, për të ushtruar detyrën ose jo, në një formë të caktuar. Nga të gjithë. U bë kohë që fyerjet për magjistratët janë pjesë më e konsiderueshme e artikulimit kur vjen puna tek kritikat për pushtetin gjyqësor. Natyrisht, të papranueshme këto në çdo pikëpamje. Kjo i vë magjistratët në provë të vështirë. Por, testi i pavarësisë, i ndarjes se pushteteve dhe i shtetit te se drejtës, nuk është vetëm retorikë”, tha Metani.

Deklarata u bë gjatë një takimi të organizuar nga ILD në bashkëpunim me projektin MATRA të qeverisë së Holandës, ku u diskutua mbi pavarësinë dhe përgjegjësinë e gjyqësorit.