Be shuplakë Ramës: Shqiptarët u privuan nga informimi rreth programit qeverisës...
Delegacioni i BE-së në Tiranë ka reaguar në lidhje me zhvillimet skandaloze gjatë ditës së djeshme në Parlamentin e Shqipërisë, ku mazhoranca socialiste, pasi e ktheu tempullin e demokracisë në një teatër virtual, miratoi me forcën e kartonëve brenda 25 minutave qeverinë e re ‘Rama 4’, si dhe programin qeverisës, duke i mohuar opozitës fjalën e garantuar nga Kushtetuta, për një diskutim maratonë, ku secili deputet kishte në dispozicion 10 minuta.
Në reagimin e delegacionit të BE në Tiranë për SYRI-n, theksohet se ‘Parlamenti duhet të jetë një forum për debat konstruktiv, ku diskutohen politika dhe paraqiten pikëpamje alternative, duke promovuar kështu një kulturë dialogu’.
Gjithashtu delegacioni i BE sqaron se ‘debati mbi programin e qeverisë së re për katër vitet e ardhshme do të kishte ofruar një mundësi të rëndësishme për të diskutuar pikëpamje dhe qasje të ndryshme ndaj objektivit të anëtarësimit, i cili mbetet një ambicie ndërpartiake’.
‘Është për të ardhur keq që publiku shqiptar u privua nga mundësia për t'u informuar siç duhet dhe plotësisht rreth programit të Qeverisë dhe për të dëgjuar përfaqësuesit e saj të zgjedhur të diskutojnë përmbajtjen e tij, në përputhje me dispozitat e ligjit’, thuhet në reagim.
Përgjigjia e Delegacionit te Bashkimit Evropian për SYRI-n:
Parlamenti duhet të jetë një forum për debat konstruktiv, ku diskutohen politika dhe paraqiten pikëpamje alternative, duke promovuar kështu një kulturë dialogu.
Në kontekstin e anëtarësimit, Parlamenti ka një rol vendimtar për të luajtur në debatin dhe miratimin e reformave legjislative që lidhen me BE-në, duke vlerësuar ndikimet e tyre dhe duke siguruar që ato të bazohen në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent.
Debati mbi programin e qeverisë së re për katër vitet e ardhshme do të kishte ofruar një mundësi të rëndësishme për të diskutuar pikëpamje dhe qasje të ndryshme ndaj objektivit të anëtarësimit, i cili mbetet një ambicie ndërpartiake. Është për të ardhur keq që publiku shqiptar u privua nga mundësia për t'u informuar siç duhet dhe plotësisht rreth programit të Qeverisë dhe për të dëgjuar përfaqësuesit e saj të zgjedhur të diskutojnë përmbajtjen e tij, në përputhje me dispozitat e ligjit.
Delegacioni i BE-së në Tiranë do të vazhdojë angazhimin e tij për të forcuar rolin e parlamentit si një institucion që promovon dhe mishëron dialogun e hapur dhe gjithëpërfshirës politik. Ne besojmë se të gjitha partitë politike të Shqipërisë dhe të gjithë sektorët e shoqërisë do të jenë në gjendje dhe të gatshëm të luajnë rolin e tyre në kontributin drejt përparimit të Shqipërisë për përmbushjen e kërkesave të anëtarësimit në BE.