Fatmir Mediu: Një vit pa Gerti Bogdanin, mikun që la një boshllëk të madh

Ka kaluar një vit që nga ndarja e papritur nga jeta e Gerti Bogdanit, duke lënë një boshllëk të madh jo vetëm për familjen e tij, Edlirën, fëmijët dhe prindërit, por edhe për miqtë e tij të shumtë.

Në një mesazh të ndjerë, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu kujton Gertin si një person qetësues, të mençur dhe të gjithmonë të pranishëm kur duhej. Ai nënvizon veçanërisht momentin kur Gerti gjatë një emisioni televiziv tha: ‘Kam zgjedhur të jem BABA’, duke treguar përkushtimin e tij ndaj familjes.

Mesazhi i Fatmir Mediut:

I dashur Gerti!

U bë një Vit që ti u largove nga kjo jetë krejt papritur, duke lënë një boshllëk të madh jo vetëm për Edlirën, fëmijët, prindërit dhe familjen tënde, por për të gjithë Ne miqtë e tu.

Tashmë ti je në parajsë me Zotin që ti besoje aq shumë, por na mungon pa fund.

Mungon qetësia, urtësia dhe mirësia jote,.

Në tymin e cigares tënde ishin mendime pa fund se çfarë duhej bërë më mirë.

Asnjëherë nuk u tërhoqe në qoshen tënde të rehatisë, por ishe gjithmonë prezent kur duhej dhe si duhej.

Ajo që më ka ngel në mëndje është thënia jote gjatë një emisioni televiziv se ‘Kam zgjedhur të jem BABA’.

Gerti miku im shumë miq në të gjithë botën të kujtojnë me mall dhe respekt. Shumë janë lutur për ty në SHBA, Europë dhe Britani, ruajnë kujtimin tënd dhe kujdesin për Edlirën dhe fëmijët. Asnjë nuk mund të zër vendin tënd, por duke të kujtuar ty dhe duke folur me Edlirën dhe familjen, më shumë se të ngushëllojmë ata, ngushëllojmë veten tonë për humbjen e mikut të mirë Gertit Bogdani.