Paradoksi/ Rama flet për IA dhe shoqëri pa cash, qeveria gjermane paralajmëron: Kujdes me pagesat në Shqipëri

Nëse do të kuptosh kulmin e paradoksit mes propagandës së Edi Ramës, që serviret edhe në mediat e huaja, me realitetin në terren, mjafton të shikosh një njoftim të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, e cila paralajmëron qytetarët e saj të bëjnë kujdes me pagesat në Shqipëri.

Në njoftimin zyrtar, që ka bërë bujë edhe në mediat gjermane, thuhet se duhet bërë kujdes pasi euroja pranohet rrallë jashtë zonave turistike.

Në njoftim thuhet se pagesat me kartë nuk është gjithnjë e mundur dhe nuk është e garantuar që konvertohet automatikisht në valutën tuaj pa kosto shtesë.

Paradoksi në këtë rast është jo vetëm i thellë, por edhe simbolik.

Nga njëra anë është Edi Rama që flet në ajër për një Shqipëri “futuriste” me: një shoqëri cashless (pa para fizike), Ministri të Inteligjencës Artificiale dhe qeverisje dixhitale.

Na ana tjetër vjen Ministria e Jashtme gjermane që paralajmëron qytetarët e vet të kenë para në dorë kur të vijnë në Shqipëri, sepse: pagesat janë të komplikuara, kartat nuk funksionojnë gjithmonë, eurot nuk pranohen gjithkund.

Kjo tregon një ndarje të madhe mes diskursit politik dhe realitetit praktik.

Shqipëria zyrtarisht flet si “Estoni ballkanike”, por në praktikë ka probleme bazike, që nga ATM-të, POS-et dhe deri te besimi në sistemin bankar.

Kjo është një pasqyrë shumë e qartë e hendekut mes propagandës digjitale dhe infrastrukturës reale dhe një kujtesë që një video me Diellën në Kuvend dhe disa lajme për shoqërinë ‘cashless’ janë vetëm një mashtrim i hapur dhe i rrezikshëm në të njëjtën kohë.