Skandal i ri për ish-ministren Frida Krifca, ILDKPKI e gjobit për konflikte interesi me kompaninë e burrit

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) ka vendosur një gjobë prej 3 mijë eurosh ndaj ish-ministres së Bujqësisë, Frida Krifca. Lajmi konfirmohet nga faqja zyrtare e Gjykatës Administrative të Tiranës, ku është kërkuar ekzekutimi i vendimit.

Sipas njoftimit zyrtar, gjoba është vendosur më 12 qershor 2025 dhe lidhet me shkelje të ligjit ‘Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike’.

Megjithatë, njoftimi nuk jep detaje konkrete mbi rastin e konfliktit të interesit që ka çuar në ndëshkimin e ish-ministres, e cila aktualisht shërben si këshilltare pranë Kryeministrisë.

Opozita ka akuzuar prej kohësh Krifcën se ka favorizuar një nga kompanitë e bashkëshortit të saj, Erti Lutaj. Sipas denoncimeve publike të Partisë Demokratike, kompania Lucom Projects, në pronësi të Lutajt, ka përfituar mbi 120 mijë euro nga Bashkia e Tiranës përmes tenderëve dhe fondeve publike. Ende nuk dihet nëse ky është rasti për të cilin ILDKPKI ka gjobitur ish-ministren, apo bëhet fjalë për një tjetër rast të identifikuar gjatë kontrollit të pasurisë dhe interesave private.

Frida Krifca u largua nga detyra e ministres së Bujqësisë në vitin 2023, pas skandalit të bujshëm me fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë. Komisioni Europian asokohe vendosi të pezullojë përkohësisht grantet për Shqipërinë, duke përmendur korrupsion dhe parregullsi serioze në shpërndarjen e tyre gjatë periudhës kur Krifca drejtonte Agjencinë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR).

Vendimi i ILDKPKI pritet të tërheqë vëmendje të madhe politike, duke shtuar debatet mbi konfliktet e interesit dhe llogaridhënien e zyrtarëve të lartë në Shqipëri.