Starmer dhe Trump vlerësojnë partneritetin mes dy vendeve: Shteti palestinez, mosmarrëveshja jonë e vetme!
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe kryeministri britanik, Keir Starmer përshëndetën të enjten ripërtëritjen e "marrëdhënies së veçantë" të kombeve të tyre, duke i dhënë fund vizitës së dytë shtetërore të paprecedentë të udhëheqësit amerikan me një shfaqje uniteti, pasi shmangën disa ‘kurthe’ të mundshme.
Në një konferencë të ngrohtë për shtyp, kur të dy udhëheqësit i anashkaluan dallimet mbi Gazën dhe energjinë e erës për të paraqitur një front të bashkuar, Trump ia rezervoi gjuhën e tij më të ashpër presidentit rus Vladimir Putin, të cilin ai tha se e kishte "zhgënjyer" në përpjekjet e tij për t'i dhënë fund, asaj që ai mendonte se do të ishte një luftë e lehtë për t'u zgjidhur në Ukrainë.
Lidhur me njohjen e shtetit palestinez dhe luftës në Ukrainë, Starmer tha se të dy vendet po punojnë së bashku në kërkim të paqes.
“Ne jemi gjithashtu të bashkuar në kërkim të paqes. Po punojmë së bashku për t'i dhënë fund katastrofës humanitare në Lindjen e Mesme, për të sjellë ndihmat, për të liruar pengjet dhe në fund të fundit për ta rikthyer Izraelin dhe rajonin drejt një plani gjithëpërfshirës që mund të sjellë paqe dhe siguri si për izraelitët ashtu edhe për palestinezët. Po punojmë gjithashtu së bashku për t’i dhënë fund vrasjeve në Ukrainë. Ditët e fundit, Putini ka treguar fytyrën e tij të vërtetë, duke ndërmarrë sulmin më të madh që nga fillimi i pushtimit me edhe më shumë gjakderdhje, edhe më shumë të pafajshëm të vrarë dhe shkelje të pashembullta të hapësirës ajrore të NATO-s. Këto nuk janë veprime të dikujt që dëshiron paqe. Pra, sot kemi diskutuar se si mund ta ndërtojmë më tej mbrojtjen tonë, të mbështesim Ukrainën dhe të rrisim me vendosmëri presionin mbi Putinin, për ta bindur atë të bjerë dakord për një marrëveshje paqeje që do të zgjasë. Dhe President Trump, ju keni udhëhequr rrugën këtu dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë dhe të punojmë së bashku për sigurinë dhe për paqen.”
Nga ana e tij, presidenti amerikan, Donald Trump tha se e vetmja pikë mospajtimi me Starmer është shtetësia palestineze, ndërsa kujtoi sulmin e 7 tetorit 2023, si një nga sulmet më brutale në botë.
‘Duhet ta kujtojmë 7 tetorin, një nga ditët më të këqija dhe më të dhunshme në historinë e botës. Dhe pata mundësinë t’i shihja kasetat dhe do të doja të mos i shihja. Dhe dua një fund, dua një fund, dua që pengjet të lirohen.” Dhe mendoj se do të jetë në rregull, por ka qenë një periudhë brutale kohore. Por kjo ka ndodhur për një kohë të gjatë, nuk është diçka që ka ndodhur gjatë vitit të fundit, dy viteve, kjo ka ndodhur për dekada të tëra. Por ne duam që kjo të marrë fund, duhet t'i kthejmë pengjet menjëherë, kjo është ajo që dëshiron populli i Izraelit, ata i duan ata përsëri. Hamasi tha se do t'i vendosë pengjet si karrem, do t'i vendosë pengjet përballë çdo sulmi. Dhe kjo është mjaft brutale, nuk e kemi dëgjuar këtë për një kohë të gjatë. Kështu që kam një mosmarrëveshje me Kryeministrin për këtë çështje. Një nga mosmarrëveshjet e pakta që kemi, në fakt."
Pas dy ditësh vizite shtetërore në Britani, të cilën udhëheqësi amerikan e përshkroi si një "nder të shkëlqyer", Trump ishte në një gjendje të relaksuar në konferencën e fundit për shtyp, kur Starmer u përqendrua në shmangien e fushave të mundshme të mosmarrëveshjeve.
Konferenca për shtyp përfundoi pa u ngatërruar me tema të mundshme të sikletshme, me të dy që iu përgjigjën pyetjeve, në lidhje me shkelësin e ndjerë të ligjit seksual Jeffrey Epstein dhe lidhjet e tij me Trump dhe me ish-ambasadorin e Starmer në SHBA.
"Ne e kemi rinovuar marrëdhënien e veçantë për një epokë të re," u tha Starmer gazetarëve.
"Ky partneritet sot është një sinjal i vendosmërisë sonë për ta fituar këtë garë së bashku dhe për t'u siguruar që ajo të sjellë përfitime reale në vende pune, në rritje, në uljen e faturave, për të vënë më shumë para të fituara me mund në xhepat e njerëzve në fund të çdo muaji."
Trump përshkroi gjithashtu lidhjet e ngushta që gëzojnë të dy vendet, duke lavdëruar Starmerin për rolin e tij si negociator i fortë në sigurimin e marrëveshjes së parë tarifore me SHBA-në.
"Ne jemi përgjithmonë të bashkuar, dhe jemi përgjithmonë miq dhe do të jemi gjithmonë miq", tha Trump.