Udhëtimet në hapësirë përshpejtojnë plakjen

Sipas teorisë së relativitetit të Einsteinit, koha kalon më ngadalë në hapësirë, duke sugjeruar se astronautët do të plakeshin më ngadalë. Megjithatë, kërkime të reja tregojnë se udhëtimi në hapësirë mund të përshpejtojë plakjen në qelizat njerëzore, për shkak të stresit ekstrem fiziologjik që i imponon trupit.

Catriona Jamieson, biologe e qelizave burimore në Universitetin e Kalifornisë, San Diego, dhe ekipi i saj zbuluan se fluturimi në hapësirë rrit plakjen e qelizave burimore hematopoietike (HSPCs), të cilat riprodhojnë qelizat e gjakut dhe imunitetit. Qelizat që kaluan rreth një muaj në hapësirë treguan reduktim të kapacitetit të vetëripërtëritjes dhe shenja të plakjes molekulare, sipas studimit të publikuar në Cell Stem Cell.

Studimet bazohen pjesërisht në eksperimentin e NASA-s me binjakët Scott dhe Mark Kelly në 2015, ku Scott kaloi një vit në hapësirë. Ai tregoi shkurtime të telomereve dhe dëmtime të ADN-së që zgjatën edhe gjashtë muaj pas kthimit në Tokë.

Jamieson analizoi HSPC-të të kultivuar 45 ditë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës dhe në Tokë. Qelizat hapësinore treguan aktivitet më të lartë të ciklit qelizor dhe reduktim të gjendjes së qelizës në qetësi, duke sugjeruar plakje më të shpejtë. Analizat e gjurmëve të ADN-së dhe të telomereve treguan paqëndrueshmëri gjenomike dhe mutacione të lidhura me hematopoezinë klonale, një gjendje që mund të kontribuojë në zhvillimin e leuçemisë.

Në të ardhmen, ekipi i Jamieson-it, në partneritet me NASA-n, synon të monitorojë ndryshimet molekulare në astronautë dhe të zhvillojë strategji për të parandaluar efektet e dëmshme të udhëtimeve në hapësirë, të cilat mund të përmirësojnë gjithashtu shëndetin e njerëzve në Tokë. / Scientist - Syri.net