Senatori republikan i Teksasit: Organizatat radikale po armatosin protestuesit, ja ligji i ri për të goditur financuesit e protestave të dhunshme
Senatori republikan i Teksasit, Ted Cruz, ka akuzuar ashpër individë dhe organizata për financimin e protestave në memorialet e Charlie Kirk, si dhe për mbështetjen e demonstratave të dhunshme anti-ICE dhe anti-Izrael.
Në korrik, Cruz prezantoi një projektligj që do t’i mundësonte Departamentit të Drejtësisë (DOJ) të aplikojë aktakuzat sipas ligjit RICO (Racketeer Influenced and Corrupt Organizations) ndaj personave dhe grupeve që dyshohet se financojnë protesta të dhunshme.
“Unë i bëj thirrje FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë të ndjekin gjurmët e parave,” tha Cruz për Fox News Digital. “Kjo dhunë që po shohim, vrasja e Charlie Kirk, ishte e tmerrshme. Ishte një vrasje politike e motivuar.”
Që prej atentatit ndaj aktivistit konservator javën e kaluar, policia lokale dhe ajo universitare kanë arrestuar dhjetëra studentë dhe protestues që kanë ndërprerë vigjilet dhe aktivitetet përkujtimore.
Projektligji i Cruz, i quajtur STOP FUNDERs Act (Financial Underwriting of Nefarious Demonstrations and Extremist Riots), synon gjithashtu të godasë financimin e protestave të dhunshme anti-ICE në Kaliforni dhe protestave antisemitike në kampuset universitare pas sulmit të Hamas-it ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Gjatë një seance të tensionuar të Komisionit Juridik të Senatit me drejtorin e FBI-së, Kash Patel, Cruz kërkoi mbështetje për këtë nismë ligjore, duke pyetur nëse shtimi i “shkaktimit të trazirave” në listën e veprave që përfshihen në RICO do t’i ndihmonte hetimet. Patel u shpreh dakord me këtë qasje.
Edhe presidenti Donald Trump dhe këshilltari i tij Stephen Miller kanë akuzuar organizata të ndryshme për financimin e protestave ekstremiste. Miller deklaroi se janë organizuar pika shpërndarjeje për armë, maska gazi dhe materiale të tjera për të nxitur trazira.
Cruz, i cili ka dënuar fort vrasjen e Kirk, theksoi se autori i dyshuar meriton dënimin kapital. “Dënimi me vdekje është absolutisht i merituar për krime të tilla. Jam i kënaqur që prokuroria po e kërkon dënimin me vdekje,” tha senatori republikan.