SYRI TV/ ‘Diella’ - Shfaqja e Ramës në sytë e trupit diplomatik, ambasadorët vendosin duart në kokë

Kabineti i ri dhe programi qeverisës për katër vitet e ardhshme u votuan brenda vetëm 5 minutave, pa zhvilluar asnjë debat parlamentar. Seanca maratonë që ishte parashikuar për diskutim, u anulua pas një veprimi të papritur të kryeministrit Edi Rama, i cili në vend që të merrte fjalën, ia kaloi atë ministres virtuale “Diella”.

Syri TV

Opozita e cilësoi këtë veprim si tallje me Parlamentin dhe kërkoi ndërprerjen e seancës. Por me urdhër të Ramës, maxhoranca kaloi drejtpërdrejt në votim, duke mos lejuar diskutime.

Kabineti “Rama 4” dhe programi qeverisës për periudhën 2025-2029 u miratuan në vetëm 5 minuta. Seanca që pritej të ishte një debat dy-ditor u kthye në një ngjarje që zgjati vetëm 30 minuta.

Shkak u bë vendimi i kryeministrit për të mos e prezantuar personalisht programin e ri, por për t’ia lënë fjalën ministres virtuale Diella, e cila u shfaq në ekranet e Kuvendit. Kjo gjë provokoi reagimin e menjëhershëm të opozitës.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se kalimi në votim pa debat do të jetë një praktikë e zakonshme e maxhorancës gjatë kësaj legjislature.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kërkoi 5 minuta pushim, por kur socialistët u rikthyen në sallë, kishin vendosur të mos lejonin diskutimin për programin dhe ta mbyllnin menjëherë seancën me votim.

Kalimi në votim ndezi tensionin në sallë. Deputetët e opozitës u ngritën nga karriget dhe hedhën drejt ministrave kushtetutën, në shenjë proteste, duke akuzuar Ramën për zhvlerësim të Kushtetutës dhe parlamentarizmit.

Në fund të seancës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se aktet e Ramës përdhosën Kuvendin, duke e krahasuar sjelljen e tij me atë të diktatorëve.

Partia e Lirisë e quajti mbylljen e Kuvendit një akt kriminal, ndërsa mazhoranca tentoi të justifikojë ngjarjen përmes ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu.

E gjithë ngjarja u zhvillua në prani të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët kishin ardhur për të ndjekur prezantimin e programit qeverisës dhe betimin e anëtarëve të rinj të qeverisë.

Në vend të kësaj, ata u përballën me mbylljen e seancës në vetëm 30 minuta dhe skena kaotike, që sipas raportimeve i bënë disa prej tyre të vendosnin duart në kokë nga shoku.